Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 11:04

Tiranë – Institucionet kulturore në Tiranë parashikojnë një kalendar të pasur me aktivitete për këtë fundjavë dhe gjatë javës në vazhdim. Disa prej tyre janë:
Teatër:
Teatri Kombëtar shfaq në datat 27, 31 mars dhe 1,2,3 prill premirën e dramës “Shtrigat e Salemi”, e autorit Arthur Miller, me regji të Spiro Dunit. Në role kryesore regjisori ka zgjedhur aktorët Timo Flloko dhe Eva Alikaj, ndërsa në role të tjera të dramës interpretojnë: Drita Pelingu, Vasjan Lami, Fatos Sela, Neritan Liçaj, Eni Jani, Naum Shundi, Elia Zaharia, etj. “Shtrigat e Salemit” merr spunto nga ngjarjet e vitit 1962 në fshatin Salem  ku brenda një nate ky fshat u kthye në qendrën botërore të magjisë, dhunës dhe gënjeshtrës, ku të gjithë fjetën njerëz e në mëngjes u ngritën shtriga. 
Teatri i Metropolit shfaq çdo të enjte, të premte, të shtunë, të diel, ora 20:00 tragjedinë e Shekspirit “Romeo dhe Zhulieta” nën regjinë e Kiço Londos, në sallën e re “Shekspir” të Teatrit të Metropoli. Rolin e Romeos, regjisori Londo ia ka besuar aktorit të ri Lulzim Zeqaj dhe atë të Zhulietës Esela Pysqylit. 20 aktorë të rinj që interpretojnë tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta” sjellin për publikun një shfaqje klasike të konceptuar në mënyrë moderne.
Arte pamore: 
Piktori Admir Përvathi  ka hapur një ekspozitë vetjake në galerinë “Kledio”, që do të qëndrojë e hapur deri në datën 31 mars. Në 30 veprat e tij në miks me akrilik, të paraqitura në këtë ekspozitë, artisti tregon kujdes në gamën koloristike, në ndërtimin e tablove edhe vetëm brenda një nuance ngjyrore.  
Sot është dita e fundit që në Galerinë Kombëtare të Arteve do të qëndrojë e hapur ekspozita personale e Gazmend Lekës. Piktori ka paraqitur në këtë ekspozitë rreth 40 punime të viteve të fundit, të gjitha në teknikën vaj në kanavacë.
Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar është çelur ekspozita “1+1: Jetë dhe Dashuri” me punime artistike të të rinjve që përcjellin mesazhin e paqes dhe dashurisë. Kjo ekspozitë është interaktive dhe çdo ditë, deri në datën 20 prill, do të presë fëmijë e të rinj që duan të krijojnë piktura, skulptura dhe vepra të tjera. 
Cirk:
Cirku i Metropolit në Tiranë shfaq çdo të shtunë dhe të diel, ora 11:00, pjesën “Përpëlitje në mjegull”. Kjo shfaqje premierë është një përzgjedhje artistike me numra akrobatikë dhe elementë të tjerë përbërës, të konceptuar nga mjeshtri Fatos Roshi dhe të shoqëruar nga orkestra e Cirkut të Metropolit, nën drejtimin e Leonard Topit. Shfaqja është një produkt i ndërthurrjes së punës së mjeshtërve Ali Jucja, Alush Iliani, Bajram Kurti, Brunilda Koka, Gentian Dollaku, Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Loreta Lika, etj, ndërsa regjia është e Armela Demaj.
Teatër për fëmijë:
Teatri Kombëtar për Fëmijë do të shfaqë në datat 2 dhe 3 prill pjesën “Katër shokët”. Të shtunave shfaqjet fillojnë në 11:00, ndërsa të dielave jepen dy shfaqje, në oraret 10:30 dhe 11:00.
Teatri i Metropolit për fëmijë vazhdon të shfaq këtë fundjavë pjesët “Ndodhi gazmore në Teatralia”, të shtunave, dhe “Tre ujqërit dhe derri i keq”, të dielave. Shfaqjet fillojnë në prën 10:30 në sallën “Çehov” të këtij teatri.
Filma:
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit muajin mars ia ka kushtuar veprave filmike te krijuara nga kineastet gra, me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Grave. Këtë të mërkurë, 30 mars ora 12:00, në sallën e kinemasë të këtij institucioni, do të projektohen veprat e regjisores Adriana Elini Xhajanka.
Në kinema “Millenium”, prej datës 1 prill do të shfaqen filma në 3D. Premiera e kësaj teknike do të jetë filmi “Drive Angry”, me regji të Patrick Lussier. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Nicolas Cage, Amber Heard, Ëilliam Fichtner.
Kinema “Imperial” ofron komeditë “The dilema” dhe “No Strings Attached”. Në këtë të fundit bëhet fjalë për një djalë dhe një vajzë, të cilët përpiqen të mbajnë marrëdhënien e tyre në mënyrë rigoroze fizike, por kjo nuk është e gjatë pasi mësojnë se kanë nevojë për diçka tjetër.