Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 18:43

Tiranë – Fakte të reja mbi jetën private të Faik Konicës, marrëdhëniet e tij më Zogun dhe Nolin si dhe fotografi të pashfaqura më parë janë përmbledhur në librin “Faik Konica, Jeta në Uashington” të gazetarit Ilir Ikonomi, që u promovua mbasditen e sotme në Hotel “Tirana International”.

Për të shkruar këtë libër biografik, autori ka shfrytëzuar Arkivin Kombëtar të SHBA-së, Arkivin e Bibliotekës së Fan Nolit në Boston, etj, për kërkimet në të cilat Ikonomi u shpreh se ka qënë i emocionuar teksa shfletonte gazetat e kohës që kishin shkruar aq shumë për një shqiptar.

“Unë i hyra kësaj pune si një i çmendur, kërkova në të gjithë arkivat që ka Amerika dhe nuk mund ta besoj që kam qënë i pari që i kam shfletuar”, tha Ilir Ikonomi.

Në librin biografik për Konicën autori ka përdorur edhe burimet e Arkivit Qëndror të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme, Bibliotekës Kombëtare Shqiptare dhe ka përshkruar në rreth 370 faqe kohën kur Konica përfaqësoi Shqipërinë e Zogut në Uashington, e deri sa vdiq në vitin 1942.

Gazetari i Zërit të Amerikës gjatë promovimit të librit tha se në gazetat e asaj kohe Konica shkuante për tema nga më të ndryshmet, ishte xheloz për Shqipërinë dhe një patriot tipik shqiptar.

“Faiku donte që njerezit në botë të mësonin se ka një shtet shqiptar dhe që ka kreun e vet që është mbreti. Kjo është arsyeja që ai fliste mirë në publik për Zogun dhe e lavdëronte atë edhe pse kishte marrëdhënit të nderlikuara me të”, tha Ikonomi.

Libri është i ndarë në dy pjesë, e para daton në 7 prill 1939 kur Italia e Musolinit pushtoi Shqipërinë dhe në të trajtohet marrëdhëniet e nderlikuara të Konicës me Zogun dhe Nolin. Ndërsa pjesa e dytë trajton periudhën pas pushtimit kur Konica humbi privilegjet e diplomatit e deri sa u nda nga jeta.

Ndër fotografitë e pashfaqura më parë është edhe ajo e kopertinës, që është shkrepur vetëm 18 orë pasi italianët kishin pushtuar Shqipërinë dhe ku gazetarët kishin ardhur për ta fotografuar dhe për t’i marrë komente Konicës.

Në parathënien e librit “Faik Konica, Jeta në Uashington”, historiani Kristo Frashëri ka shkruar: “Të duket sikur autori e ka kapur prej dore lexuesin dhe e shoqëron në mjedisin ku Faik Konica ka jetuar e punuar për gjënë më të madhe që kishte në zemër-çështjen kombëtare shqiptare”.

Ilir Ikonomi aktualisht është gazetar në Zërin e Amerikës në Uashington.