Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 15:30

TIRANË – Në një nga sallat e Muzeut Qëndror të Kulturës Antike dhe Artit Mesjetar rus në Moskë “Andrei Rubljov”, u hap në datën 10 tetor, ekspozita e ikonografisë shqiptare.

Në këtë ekspozitë u prezantuan ikona të shekujve 14 – 18-të të e.s, marrë nga koleksioni i ikonave të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korcës. Ikonat përfaqësonin punime të Nikolla Onufrit, Vëllezërve Zografi, të David Selenicës, të Jeromonakut, anonime etj. Spikasnin ikonat “Pakëzimi i Krishtit, “Shën Maria me Shenjtorë”, “Shën Maria me Krishtin”, “Johan Theologu”, “Ngjallja e Llazarit”, “Prekja e Thomait”, “Dyert e Bukura” etj.   

Në ceremoninë e organizuar në kupolen e kishës mesjetare të muzeut “Andrej Rublov” përshëndetën të pranishmit Drejtori i Përgjithshëm i Muzeut të Artit Mesjetar rus, “Andrej Rublov”, Grigori Popov, Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korcës, Tatjana Caca, etj

Folësit në këtë ceremoni vunë në dukje vlerat e veçanta historike, kulturore, artistike dhe fetare të ikonografise shqiptare. Përfaqësuesit e institucioneve ruse, përshëndetën hapjen e kësaj ekspozite të vecante në Moskë, e cila i bën më të prekshme vlerat kulturore, artistike dhe religjoze të popullit shqiptar. Kjo ekspozitë, sipas tyre, transmenton mesazhet e kohës, por me ngjyra shqiptare.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi dhe të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.  Ekspozita e ikonografisë shqiptare në Moskë do të qëndrojë e hapur për vizitoret ruse deri në  9 nëntor. Me pas, ajo do të transferohet në qytetin e tretë më të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod, ku do të qëndrojë e hapur deri më 11 dhjetor 2012.(LajmeShqip.com)