Lajme Shqip Saturday, 02 March 2013 14:38

HIMARE – Eshtë vjedhur kisha 300- vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë. Ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë, ndërsa keqbërësit kanë marrë në këtë objekt 9 kolona të ikonostasit të shekullit të XVIII. Lajmi konfirmohet për “Gazeta Shqiptare” nga Gentian Stratobërdha, arkitekt, restaurator dhe drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Zoti Stratobërdha, ndërsa vëren se objekti është monument kulture, sqaron se elemente të rëndësishme të dekoracionit të brendshëm të saj, janë ikonostasi prej druri të gdhendur dhe tavani.
Vjedhja
Sipas drejtorit të trashëgimisë, monumenti në fjalë ka qenë një ndër më të mirëmbajturit e trashëgimisë ortodokse, pasi i është nënshtruar një restaurimi, në fund të viteve ’90, me fondet e Kishës Autoqefale. Nga ana tjetër, ajo i kishte rezistuar mirë kohës. Eksperti shënon se në këtë kishë, gjendej një ndër të paktët ikonostase origjinale, i realizuar në shekullin e 18-të, i gdhendur thellë, dhe i restauruar së bashku me kishën disa vite më parë.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë vënë re vjedhjen e bërë, ndërsa kanë shkuar në mëngjes dhe e kanë gjetur derën të hapur. Më pas është pikasur që janë vjedhur 9 kolona të ikonostasit, të gdhendura në dru. “Unë jam ndodhur aty rastësisht pak ditë pas ngjarjes dhe kam verifikuar dëmin e bërë. Kam komunikuar me banorët e zonës dhe më kanë sqaruar se çka ndodhur”, tha dje për “GSH” Stratobërdha. Ai rikujtoi se kjo nuk është hera e parë që objekti vidhet. “Ishte vjedhje për arsye përfitimi, pasi kolonat janë çmontuar në mënyrë të kujdesshme, si duket për t’u shitur në tregun e zi”,- shprehet drejtori i Trashëgimisë në KOASH, teksa sqaron se nga këqyrja në vendngjarje pjesët janë hequr për t’u ruajtur. I pyetur për ikonat, ai përgjigjet se ato nuk kanë qenë origjinale, dhe prandaj vijojnë të jenë në kishë. Sipas Stratobërdhës, origjinalet e tyre ruhen nga institucionet e shtetit shqiptar. Mosvjedhja e ikonave, të bën të mendosh në fakt, për njerëz profesionistë, që dinë të dallojnë origjinalen nga kopja, a në mos ashtu, kanë qenë tejet të informuar se çfarë vlente në kishë e çfarë jo.
Policia
Stratobërdha tregon se kanë qenë besimtarët ata që kanë njoftuar policinë dhe kanë bërë kallëzim. Sipas tij, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet pasi ka marrë materialet e nevojshme. Kjo nuk është hera e parë që grabitësit ia mësyjnë këtij objekti. Ai është sulmuar edhe disa muaj më parë.
Vlerat
“Kisha e Gjithë Shenjtorëve është një ndërtim i shek. XVIII, ngrihet në një pozitë zotëruese, dhe është kisha kryesore e Himarës fshat. Është një bazilikë trenefëshe,e mbuluar me tavan të rrafshët. Dy harkada gjatësore mbi kollona guri ndajnë nefet nga njëri-tjetri. Në qoshen jugperëndimore të oborrit të kishës ngrihet kulla e lartë e këmbanares”, shprehet Stratobërdha. Ai bën me dije se vlertat e ikonostasit janë të paçmueshme, pasi ai ka qenë unik, i prodhuar enkas për atë kishë. “Në atë kohë ikonostaset bëheshin me porosi për kishat, ishin si dedikime, ndaj them se vlerat e tij janë të mëdha. Nuk mund të jap një shifër për vlerën monetare”, thotë ai. Nga ana tjetër, Stratobërdha mendon se ngjarjet e mëparshme, ashtu sikundër ajo e kishës së Valshit ku u dëmtuan shenjtorët e Onufrit, apo debati i madh që u shkaktua në opinionin publik, nuk kanë ndikuar në sigurinë e monumenteve.
Kalaja dhe Kisha
Kështjella e Himarës është aty ku dikur shtrihej qyteti i vjetër i Himarës. Kalaja në vetvete është një monument i rëndësishëm që ka nevojë për mbrojtje që të mos pësojë dëme të pandreqshme. Në këtë kështjellë (kala) ekzistojnë shenja të prezencës së pandërprerë të njerëzve për më shumë se 3500 vjet. Në të veçohet kisha e Gjithë Shenjtorëve që u ndërtua më 1775 në hyrje të saj. Thuhet se aty ka predikuar Shën Kozmai nga Etolia.(G.Sh/LajmeShqip.com)