Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 16:30

Tiranë – Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ditën shtunë u ndanë çmimet e Panairit të 14-të të Librit “Tirana 2011”. Juria me anëtarë: Mirela Kumbaron, Pëllumb Xhufin, Arta Markun, Dhurata Shehrin,  Xhevat Beqarajn vlerësoi me çmimin “Autori i Vitit 2011” Helena Kadarenë për romanin “Kohë e pamjaftueshme”, me motivacionin: “Për elegancë në shkrim dhe emocionet e thella që kapërcejnë objektin e rrëfimit. Jo një jetë e rrëfyer, por rrëfimi i jetës”.

“Kohë e Pamjaftueshme” triumfoi mbi katërshen e librave të përfolur si më të shitur të  këtij panairi: “Shqipëria” me autor Ben Blushin, “Kurbani” Edi Rama, “Enver Hoxha” Blendi Fevziu. Edhe kësaj here lexuesit nuk i shpëtuan yshtjes që ushqen promovimi i librave para se të vijnë në panair. Botuesit hezitojnë të japin shifra për shitjen e librave me shpjegimin se me to shpesh bëhen abuzime dhe nuk janë treguesi real i shitjeve. “Stenda tregon vetë” tha para vitrinës së mbushur plot Arlinda Dudaj, botuesja e “Kurban”-it. Nuk preferoi të jepte një shifër as Bujar Hudhri, botues i “Onufrit”, shtëpia që botoi librin “Kohë e Pamjaftueshme”.

Çmimi i Veçantë i Jurisë iu dha Muhamet Ademit për “Lirika e fijes së barit” me motivacionin “Për personalitetin kompleks të një poeti të panjohur që na sjell vlerat e një letërsie, e cila mbijetoi edhe pa lexues”. Përkthyesi i Vitit u shpall Shpëtim Çuçka për shqipërimin nga italishtja të librit “Historia e bukurisë” të Umberto Ecos, me motivacionin “Për vlerat e sjelljes në shqip me cilësi e thellësi të njërës prej veprave të rëndësishme të letrave bashkëkohore botërore”. Në kopertinën e botimit luksoz lexuesit i jepet ky shpjegim: “Megjithëse shoqërohet me ilustrime nga qindra kryevepra të të gjitha kohëve, ky libër nuk përbën një histori arti. Ilustrimet, ashtu si edhe një përzgjedhje e gjerë citimesh nga Pitagora deri në kohën tonë, shërbejnë për të rikujtuar pikëpamjet e ndryshme mbi të Bukurën, të cilat janë shfaqur e janë bërë objekt debatesh që nga Greqia e lashtë e deri sot. Ky libër ndriçon mënyrat e ndryshme se si është kuptuar Bukuria e natyrës, luleve, e kafshëve, e yjeve, e përpjesëtimeve matematike, e dritës, e gurëve të çmuar, e veshjeve, e Zotit dhe e Djallit”.

Veç vlerësimit të Stendës me Paraqitjen më të Mirë Grafike që u nda për shtëpinë botuese “Pegi”, një çmim tjetër shkoi për shtëpinë botuese “Albas” e vlerësuar për Librin e Vitit për Fëmijë, çmim që i kushtohej revistën “Grupsat”. Botimi nuk i afron fëmijët me botën e Ëinx-ave apo të këngëtarëve të preferuar, por është një enciklopedi që ka edhe argëtimin brenda. Ajo i referohet “Horizonti”-t, një prej revistave të dashura për fëmijët e para viteve ‘90, pa pasur parasysh përmbajtjen ideologjike. Për këtë arsye çmimi iu dha “Për vlerat edukative, enciklopedike, estetike dhe argëtuese në formimin e shijeve te lexuesi i vogël”. Në panair “Albas” përuroi 50 tituj të rinj që i përkasin projektit për edukimin parashkollor, i cili ka për qëllim sensibilizimin e prindërve, mësuesve dhe opinionit publik për mënyrën e përdorimit të informacionit të librave. Ndër to, librat e serisë “Si të mbrojmë planetin”, 3 R-të: Ripërdorim, Reduktim dhe Riciklim, që i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se burimet e tokës janë të kufizuara dhe mjaft të çmuara, ndaj duhen përdorur dhe mbrojtur me kujdes. Rita Petro, drejtoresha e botimeve, theksoi se në libra preken edhe tema të tjera aktuale me qëllimin e dhënies së një mesazhi me rëndësi, “nëse nuk flasim hapur me fëmijët, atëherë problemet tona do të jenë më të rënda”.

“Para se të bënim projektin me serinë e librave, ne studiuam tregun dhe pamë se nuk i mungonin enciklopeditë ose librat me përralla. Ndaj menduam të bënim diçka ndryshe. Madje këta lloj librash ndihmojnë edhe të rriturit, sepse deri në moshën 6 vjeç fëmija nuk di të lexojë. Kështu që ai informacionin e librit do ta marrë nëpërmjet prindit. Këta libra thyejnë tema “tabu” dhe duhen më parë të përthithen nga prindërit dhe edukatorët”, shpjegon Petro. Po si do shkojë libri në dorën e fëmijës? Botuesja tregon që nuk synohet tregu komercial. Nga ana tjetër, shkollat kanë qenë të mbyllura për kësilloj botimesh dhe nuk janë përfshirë në politikat e Ministrisë së Arsimit. E vetmja rrugë që ato të futen në shkolla, është rishqyrtimi i botimeve shkollore nga komisionet të cilat duhet të vlerësojnë, përzgjedhin, vendosin për botimet cilësore. Por, sa aplikohet kjo në praktikë?!, citoi Petro.