Gjirokastër – Projekti ndërkombëtar “Vlerat europiane në trashëgimi”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe që do të zbatohet nga katër organizata të shoqërisë civile në katër shtete të Ballkanit, përfshin edhe qytetin e Gjirokastrës, krahas disa qyteteve karakteristike në Greqi, Kosovë dhe Maqedoni.
Sadi Petrela, drejtori i organizatës për ruajtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës, tha se gjatë 18 muajve të zbatimit të projektit do të realizohen një sërë aktivitetesh, të cilat do të kenë në qendër promovimin e vlerave të këtyre qyteteve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, duke përfshirë edhe qytetin e Gjirokastrës.
Ky projekt, sipas Petreles, “do të evidentojë përtej kufijve disa nga vlerat më të rëndësishme të qytetit të gurrtë dhe do të shërbeje për rritjen e numrit të turistëve të huaj që do të vizitojnë Gjirokastrën. Pjesë e aktiviteteve të këtij projekti do të jenë botimi i guidave turistike, realizimi i materialeve filmike për vlerat që mbartin qytetet karakteristike të Ballkanit si dhe krijimi i një rrjeti të përbashkët mes këtyre qyteteve përsa i takon guidave dhe destinacioneve turistike.