Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 07:57

Gjirokastër – Gjatë punës për sistemimin e oborrit të shtëpisë së tij, Haxhi Mele nga fshati Kolonjë i Kurveleshit në rrethin e Gjirokastrës ka zbuluar rastësisht në fragment të një ujësjellësi të vjetër, që përbën një objekt me vlera historike.

E bija e tij, Ritvana Mele, studente në vitin e tretë të Universitetit “Eqrem Çabej” në degën histori- gjeografi është kujdesur që fragmenti i ujësjellësit të mos dëmtohet.

Ajo tregon se kur gjatë gërmimit babai zbuloi në një tub qeramike, ndërpreu menjëherë punimet dhe së bashku me të vazhdoi të zbulojë njëri pas tjerit pjesë nga ky ojekt i rrallë. Më pas, Ritvana njoftoi pedagogët e historisë dhe arkeologjise në Gjirokastër dhe akademikun Prof. dr. Myzafer Korkuti, të cilët u rekomanduan pjestarëve të familjes Mele, që ta ruanin dhe mos dëmtonin ujesjellësin e zbuluar prej tyre.

“Bëhet fjalë për një fragment të një ujesjellësi të vjetër, që të paktën në vendin e zbuluar është i shtrirë në një thellësi rreth një metër nën sipërfaqen e tokës”, shprehet arkeologu Dhimitër Çondi.

Sipas tij, teknika e ndërtimit eshte me tuba qeramike të ngushtë, me elementë të lidhet dhe puthitet me njeri-tjetrin.

“Ndonëse për të dhënë një mendim përfundimtar duhen studimë më të thelluara, paraprakisht, mund të them se, si teknikë ndërtimi me elementë qeramike të njëpasnjëshëm, ky objekt është i ngjashëm me ujsjellësat e Periudhës Romake, por teknologjia e përgatitjes së qyngjeve prej qeramike duket më e vonë dhe paraprakisht mendoj se i përket periudhës së Mesjetës rreth shekullit XVI”, shprehet Çondi.

Sipas gojëdhënave të kolonjarëve, ujësjëllësi duhet të jetë rreth tre kilometra i gjatë dhe ka shërbyer për të sjellë ujin e Burimit të Kulprit në fshatin Kolonjë, burim që rrjedh edhe sot e kësaj dite, mandej furnizon me ujë tre fshatra Medar, Picard e Kolonjë.

Pjesë të thyera qyngjash janë gjetur edhe herë të tjera në vendin pranë Burimit të Kulprit si dhe në qëndër të fshatit pranë furrës në Kolonjë.

Elementët prej qeramike të ujësjellësit kanë një gjatësi standarte prej 26 centimetra secila, me një diametër të brendshëm 8 centimetra në pjesën e ngushtë dhe 10 cm në pjesën e gjerë, ndërsa diametri i jashtëm është 9 cm në pjesën e ngushtë të tubit dhe 12 në pjesën e gjerë.

“Ngjyra e qeramikës së qyngjeve është okër në rozë e qeramikë, ndërsa lidhja mes tyre është realizuar me gërqele të pastër dhe të një kualiteti të mirë në të gjithë rrethin e bordurës ku bashkohen pjesa e gjerë me atë të ngushtë të qyngjave”, përfundon Çondi. Zbulimi i këtij objekti të vjetër, sipas tij, ka rëndësi për të plotësuar studimet historike për rajonin e Kurveleshit.

Sipas studentes Ridvana Mele, familja e saj ka menduar që t’i kërkojë institucioneve të monumentëve të kulturës që të realizojnë një projekt restaurimi të një pjesë të këtij ujësjellësi, që edhe pse ndodhet në oborin e shtëpisë, të jetë gjithmon i hapur për vizitorët që dëshirojnë ta vizitojnë në çdo kohë.