Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 16:50

Gjirokastër – Vendstrehimi i Luftës së Ftohtë, ose siç quhet ndryshe Tuneli i Nëndheshëm në qytetin e Gjirokastrës, i ndërtuar në vitet ’70-të të shekullit të kaluar,  në kodrën ku ngrihet edhe kalaja , po i nënshtrohet restaurimit për ta kthyer në një qendër të mirëfilltë muzeale.

Gjatë regjimit komunist, ky tunel , me më shumë se 110 dhoma, ishte menduar  t’i shërbente strehimit të krerëve të  lartë të udhëheqjes së asaj kohe, kundrejt një kostoje të lartë përballë standarteve të jetesës së  kohës. Në të do të strehoheshin ish-sekretari i parë i komitetit te partisë së rrethit Gjirokastrës , ish kryetari i komitetit ekzekutiv te rrethit si dhe funksionarë të lartë të regjimit, në rast të një agresioni të mundshëm sipas tij.

Vetëm në vitet ’90 , një pjesë e mirë e banorëve të Gjirokastrës u njohën me ekzistencën e këtij tuneli dhe që pas viteve 2000 ai  ngjalli interesin e turistëve vendas dhe të huaj.

Pas përfundimit të fazës së parë për rikonstruksionin e mjediseve në vendstrehimin e Muzeut të Luftës së Ftohtë në Gjirokastër, Organizata për Mbrojtien dhe Zhvillimin e qytetit, në bashkëpunim me pushtetin vendor ka nisur punën për zbatimin e fazës së dytë të projektit, sigurimi i relikeve dhe materjaleve për muzeun.

Ndërsa në fazën e parë të punimeve u restauruan disa prej dhoma të dëmtuara, apo të shëmbura, u vendosën tabela orientuese, u ndriçuan të gjitha hapsësira dhe u bë ajrimi i mjedisit, në fazën e dytë ka nisur mbledhja e relikeve dhe materialeve të para historike që do të ekspozohen në këtë muze.

Përfaqësuesi i Organizaës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO), Sadi Petrela, thotë për ATSH-në se faza e dytë e krijimit të muzeut të luftës së ftohtë është edhe faza më e rëndësishme.

Petrela bën të ditur punën e nisur për mbledhjen e relikeve dhe materialeve të para historike që do të ekspozohen në  këtë muze, si dhe afishimi i materialeve në dhomat e muzeut që do të hedhin dritë jo vetëm mbi rolin e tunelit, funksionimin tij gjatë sistemit komunist, por edhe mbi vetë sistemin dhe format e mbijetesë së tij në kushtet  luftës së ftohtë.

“Për të siguruar reliket e nevojshme dhe matrialet që do të shërbjnë për muzeun është kërkuar ndihma e institucioneve, si dhe personaliteteve që kanë jetuar në atë kohë, për detajet rreth tunelit , historianëve dhe komunitetit gjirokastritë”, thotë Petrela.

Ky vendstrehim, ai thotë se mund të kthehet në një objekt të vizitueshëm nga turistët e huaj dhe vendas. Rikonstruksioni i tunelit dhe krijimimi i Muzeut të Luftës së Ftohtë do të shërbejë për të hedhur dritë rreth të vërtetave të tij në vitet komunizmit. Tuneli, me më shumë se 110 dhoma është ndërtuar në kodrën ku ngrihet edhe Kalaja dhe  vijon drejt Qafës së Pazarit e më tej.

Projekti i është nënshtruar një bashkëbisedimi të gjerë me komunitetin gjirokastrit, për një pasqyrim më të plotë të realitetit. Ky muze do të funksionojë në  mjediset e një vendstrehimi luftarak prej betoni , ndërtuar në vite ’70-të të shekullit të kaluar, në qytetin e gurtë në jug të vendit.