Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 15:45

Gjirokastër – Shirat e ditëve të fundit kanë rikthyer për banorët e lagjes ‘Varosh’ në qytetin e Gjirokastrës,  frikën e rrëzimit të mureve të gurta të mbetura nga shtëpia e Koloit.

Banesa e gurtë, u shemb në mënyrë të kontrolluar nga specialistët dimrin e kaluar pasi si shkak i mungesës së investimeve restauruese çatia dhe muret e saj  rrezikonin jetën e banorëve të zonës.  Por,  reshjet e shiut kanë rikthyer sërish për banorët e lagjes ‘Varosh” problemin e shembjes së mureve të banesës, pjesë të të cilave qëndrojnë ende në këmbë.

“Pas ndërhyrjes së specialistëve për shembjen e shtëpisë ende kanë ngelur në këmbë fragmente muresh apo grumbuj gurësh,  të cilët si shkak i shirave të ditëve të fundit kanë nisur të rrëzohen mbi rrugë”, thotë me shqetësim një banor i lagjes.

“Gjatë këtij dimri mbi çatinë tonë kanë nisur të rrëzohen sërish gurë ndërkohë që në muret gjysmë të shembura kemi parë çarje të mëdha”, thotë një  banor shtëpia e të cilit ndodhet pranë mureve gjysmë të shembura.

Problematike është kjo situatë edhe për njerëzit dhe automjetet që lëvizin përgjatë rrugës së kalldrëmte, poshtë mureve të rrënuara të banesës.

Shtëpia e gurtë e Koloit,  me një moshë gati 300 vjeçare ishte braktisur prej vitesh nga banorët e saj. Mbasditen e datës 13 janar 2008,  ajo u përfshi nga një zjarr qe shkrumboi plotësisht ambientet e brendshme prej druri ndërsa dëmtoi edhe muret mbajtëse si edhe çatinë me pllaka guri të saj.

Zjarri,  i cili nga ekspertët u cilësua aksidental,  rrënoi përfundimisht vlerat arkitektonike dhe muzeale të shtëpisë së gurtë tri katëshe, një prej vlerave përfaqësuese të arkitekturës tradicionale në Gjirokastër, objekt “Monument Kulture”. Sipas bashkise së qytetit,  për të shmangur rreziqet e kësaj banese, është ndërhyrë disa herë me heqjen e pjesve të rrezikshme dhe deri tani nuk ka pasur probleme.

Por, për  zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi shqetësues duhet të kontribuojë edhe  drejtoria e monumenteve.