Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 11:05

Gjirokastër – Rrapi i Mashkullorës në rrethin e Gjirokastrës, më i lashti në jug të vendit, i kthyer në një simbol për historitë që lidhen me emrin e tij,  rrezikon të zhduket, për shkak të një virusi që ka prekur pemën e lashtë, të mbjellë  në vitin e largët 1870.

Alarmin për zhdukjen e Rrapit e kanë dhënë banorët e Mashkullorës, fshatit rreth 7 kilometra larg  qytetit të Gjirokastrës. Virusi që ka prekur Rrapin madhështor, të shpallur prej vitesh monument natyre, ka filluar ta dëmtojë, zverdhë degët e tij, si dhe t’i thajë trungun.

Zabit Ahmetaj, banor i këtij fshati, me profesion agronom, thotë se pranë këtij rrapi nisi betejën kundër hordhive turke çeta e Çerciz Topullit, pas vrasjes së Bimbashit në Gjirokastër.

“Ekziston rreziku që së bashku me Rrapin, të zhduken dhe  historitë që lidhen me të”, thotë një banor i zonës.

Të shqetësuar për pemën shekullore, banorët kanë kërkuar ndihmën e drejtorisë Pyjore dhe drejtorisë së Monumenteve, dhe pse këta të fundit, sipas banorëve nuk kanë marrë asnjë masë për të ndaluar avancimin e virusit shkatërrues.

Ndërsa banorët kërkojnë ndihmën e institucioneve të specializuara në këtë drejtim, duket se pas 50 rrepeve të  “Gurës së Picarit”, të tharë dhe zhdukur pak muaj më parë, tani e ka radhën një simbol tjetër me vlera të shumëfishta dhe të veçanta, siç është Rrapi i Mashkullorës.