Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 13:16

Gjirokastër – Në zonën muzeale të qytetit të gurtë të Gjirokastrës, në jug të vendit, mungojnë tabelat orientuese dhe treguese, duke krijuar kështu vështirësi në orientimin e turistëve të huaj.

Shpesh grupeve të vizitorëve në qytetin e gurtë iu duhet të pyesin banorët e pjesës së sipërme të qytetit, për t’u orientuar disi në morinë e monumenteve të kulturës, që ndodhen në këtë zonë. Vendosja e këtyre tabelave do ta bënte më të lehtë lëvizjen e grupeve turistike drejt objekteve monumentale të Gjirokastrës.

Në rrugët dhe rrugicat e zonës historike mungojnë tabelat orientuese, që mund dhe duhet t’i  tregojnë një vizitori se ç’drejtim duhet të ndjekë për të shkuar në Kalanë e qytetit, Muzeun Etnografik, shtëpinë e Zekateve, Skëndulajve dhe dhjetëra të tjera të shënuara në hartat dhe guidat turistike.

Besnik Shehu, punonjës në Muzeun e Armëve në Gjirokastër thotë se “mjaft turistë të huaj enden me orë rrugëve për të gjetur muzeun apo shtëpitë karakteristike të qytetit”.

Sipas tij, në zonën historike mungojnë tabelat për orientim dhe ato që janë nuk thonë asgjë.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe punonjësja në Muzeun Etnografik të Gjirokastrës, Zamira Tena, e cila shprehet se “me dhjetëra vizitorë, që dynden për të parë Muzeun Etnografik apo banesën e Zekatëve enden nëpër lagje duke pyetur, pasi nuk kanë asnjë orientim”.

Turistë të ndryshëm, që kanë vlerësuar pozitivisht Gjirokastrën janë befasuar me mungesën e tabelave, të cilat ende nuk po vendosen nga Drejtoria e Monumenteve, që ka premtuar disa herë.

Gjirokastra u shpall qytet muze në vitin 1961, ndërsa u bë pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s në vitin

2005. Qyteti i gurtë ka dy lagje kryesore, qytetin e vjetër dhe qytetin e ri. Qyteti i vjetër është në kodrën më të lartë, në të cilën ndodhet dhe Kalaja e Gjirokastrës, vend i cili ofron një pamje madhështore të qytetit dhe luginës përreth.

Në qytetin e vjetër ka disa rrugë me dyqane të vogla dhe rrugë me kalldrëm dhe arkitekturë fantastike. Shtëpitë e banimit në këtë lagje datojnë në shekujt XVIII-IX dhe kanë një arkitekturë të veçantë.