Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 08:36

Gjirokastër – Ndërsa numri i vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës po shënon rritje nga viti në vit, infrastruktura e këtij monumenti të rrallë të kulturës lë shumë për të dëshiruar.

Martin Mato, pedagog i gjuhës gjermane në universitetin e Tiranës, që çdo vit shoqëron në jug grupe turistësh, shprehet i shqetësuar për problematikën që mbart kalaja, e cila është pika më e kërkuar dhe e vizituar nga turistët.

Sipas tij, mjaft turistë të huaj kërkojnë që kalaja të ketë edhe mjedise shlodhëse dhe argëtuese, pa prekur arkitekturën dhe ndërtimin e saj.

“Është e papranueshme që në këtë kala gjigande me hapësira të mëdha, të mos këtë disa stola për tu ulur, të mos ketë një godinë të përshatur si lokal. Janë të gjitha mundësitë që turistët e lodhur pasi të vizitojnë kalanë, të ulen në një kënd të saj për tu qetësuar, apo të shprehin opinionet për ato çfarë kanë parë, por fatkeqësisht këto kënde mungojnë, ashtu siç mungojnë edhe pikat ambulante apo ato të shitjes së suvenireve”, tha Mato.

Drejtoresha e Muzeut të Armëve në kala, Teuta Kallajxhi, pohon se mjaft vizitorë që planifikojnë të qëndrojnë  gjatë  në kala, largohen para kohe sepse nuk u ofrohen kushtet minimale. Bashkia dhe drejtoria e monumenteve duhet t’i japin zgjidhje këtij problemi.