Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 10:22

Hubertus Knabe , drejtor i Berlin-Hohenschönhausen Memorial, muzeu i ngritur në kujtesë të ish- burgut famëkeq të torturave, Stasi në Berlin, gjatë qëndrimit në Shqipëri do të vizitojë edhe ish-burgun e diktaturës në Spaç dhe “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër me synim zhvillimin e një projekti më të gjerë në Muzetë e Kujtesës

Ndodhet në Tiranë për një vizitë pune Hubertus Knabe , drejtor i Berlin-Hohenschönhausen Memorial, muzeu i ngritur në kujtesë të ish- burgut famëkeq të torturave, Stasi në Berlin. Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Berlin-Hohenschönhausen Memorial do të nisin bashkëpunimin mes dy institucioneve për ekspertizë dhe vlerësime në fushën e muzealizimit të muzeut “Gjethi” dhe në përgatitjen e projekteve të tjerë për muzetë e kujtesës në Spaç dhe Shkodër, të njohur si vende të dëshmisë dhe kujtesës. Me këtë bashkëpunim Muzeu, ndërtesa e të cilit po i nënshtrohet restaurimit të plotë, hyn në fazën e dytë, atë të muzealizimit, njofton Ministria e Kulturës në Shqipëri.

Ministria e Kulturës do të vazhdojë të japë kontributin e saj në ngritjen e institucioneve të kujtesës që eksplorojnë historinë e komunizmit shqiptar nga viti 1945 deri në vitin 1989, me synim ngritjen e vetëdijes publike përmes materialeve të dokumentuara dhe ekspozitave të ndryshme. Këto institucione do të jenë pjesë e promovimit të debatit dhe shkëmbime idesh mbi format e shtypjes në diktaturë, si dhe pasojat që vijnë nga persekutimi politik , me qëllim informimin e brezave të rinj me të kaluarën e vendit, por edhe ballafaqimin e atyre brezave që arritën ta përjetonin diktaturën komuniste me këtë të kaluar të vështirë.

Knabe u prit nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe grupi i punës në MK pjesë e të cilit janë kuratorët e projektit, shkrimtari Bashkim Shehu dhe arkitektja muzeologe Elisabetta Terragni, ku u njoh nga afër me punën e deritanishme në “Muzeun Gjethi”. Në takim merrte pjesë atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane, Christiane Wolters.

Në ditët e qëndrimit në Shqipëri ai do të vizitojë edhe ish-burgun e diktaturës në Spaç dhe “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër me synim zhvillimin e një projekti më të gjerë në Muzetë e Kujtesës. Vizita e Knabe në Shqipëri u mundësua falë bashkëpunimit me Ambasadën Gjermane në Tiranë.

Ai solli në vëmendje eksperiencën e ish-burgut te Stasi, i cili vizitohet çdo vit nga më shumë se 436,000 vizitorë, ku numri i nxënësve të shkollave mendohet të shkojë deri në 200.000. Knabe, historian dhe aktivist për të drejtat e njeriut është i njohur për botimin e disa veprave mbi diktaturën në shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore, veçanërisht në Gjermaninë Lindore.