Lajme Shqip Thursday, 01 November 2012 14:53

Tiranë – Në një nga sallat më të mëdha të Gjenevës do të ngjiten për herë të parë rreth 150 artistë shqiptarë për të interpretuar pjesët më përfaqësuese të muzikës shqiptare.

Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë, që po zhvillohen brenda dhe jashtë vendit, mbrëmjen e 4 nëntorit rreth 6 mijë spektatorë do të shijojnë muzikë shqiptare në Pallatin ‘Arena’ në Gjenevë.

Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e drejtuar nga mjeshtri Zhani Ciko, do të luajë muzikë shqiptare, duke nisur nga veprat më të vjetra e deri në ditët e sotme, ndërkohë që artistët nga trevat shqiptare do të luajnë edhe pjesë dedikuar Shqipërisë nga kompozitorë të huaj. Mbrëmja Gala në Zvicër do të vazhdojë me performanca të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve si dhe artistë të tjerë nga Shqipëria e Kosova.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zhani Ciko, tha se repertori është përzgjedhur më shumë kujdes për të çuar në atë skenë vlerat më të mira të muzikës shqiptare. “Mund të përmend këtu veç “Skënderbeut” vepra të tilla si “Agimet shqiptare” apo “O ju male”, të cilat nuk mund të mos i interpretojmë në këtë 100-vjetor”, tha Ciko.

Në koncertin e Gjenevës, veç të tjerash, do të luhet për të parën herë një pjesë nga opera “Skënderbeu” që mban firmën e kompozitorit Vivaldi dhe që gjatë nëntorit do të shfaqet premierë absolute në skenën e TKOB-it.(LajmeShqip.com)