Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 07:38

Gjirokastër – Të shpallura monument kulture për shkak të vlerave të mëdha historike, varret e pashallarëve të njohur të Libohovës janë kthyer vitet e fundit në objekt vizitash të turistëve të huaj, por edhe vendas.

Varri i Myfit Bej Libohovës dhe krerëve të tjerë të këtij fisi të famshëm, por edhe i Shanishasë motrës së Aliut, të martuar në fisin Libohova kanë ngjallur kërshëri të vazhdueshme për mjaft vizitorë.

Ish-kryetari i bashkisë së Libohovës, inxhineri urbanist, Bexhet Çobani thotë se, “vlera dhe lavdia e atyre që prehen në këto varre nuk i përket Libohovës, por gjithë kombit shqiptar”.

Sipas Çobanit varret janë parë nga afër edhe nga studiues e historianë të ndryshëm, të cilët i kanë bërë objekt studimesh.

Çobani rrëfen se “Myfit Bej Libohova ishte një ndër intelektualët më të shquar të vendit, që mori pjesë në përgatitjen dhe shpalljen e pavarësisë, ndërsa në periudhën e Ahmet Zogut ai ishte ministri më erudit”.

Ndërkohë që e madhe është edhe fama e motrës së Aliut, Shanishasë, për të cilën veziri i Janinës ndërtoi kalanë e Libohovës.

Gjithsesi, 6 varret e pashallarëve, prej vitesh ishin lënë në harresë dhe ishin mbuluar me ferra dhe pluhurin e kohës. Pas viteve ’90 bashkia kreu investimin e parë për të rehabilituar varret e degraduara dhe të humbura nën tokë.

“Këto varre u pastruan si dhe u bë rrethimi i territorit dhe rikonstruksioni i tyre”, nënvizon Çobani, duke shtuar se së bashku me varret u rikonstruktuan edhe sarajet e pashallarëve në qendër të Libohovës, të shpallura më vonë “monument kulture”.

“Tashmë Libohova krenohet jo vetëm me të sotmen, por edhe me të kaluarën e lavdishme të lënë në harresë nga regjimi komunist”, tha Çobani.