Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 13:00

Durrës-Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit ka nisur sot paradite projektimi i filmave për fëmijë dhe të rritur, në kuadër të edicionit të 7-të të Festivalit të filmit “Giffoni Shqipëria”.

Gjatë tre ditëve të shkuara festivali ishte mysafir në qytetin e Shkodrës, ku sipas organizatorëve, pati një vlerësim të veçantë nga shikuesit e moshave të reja.     

Presidenti i këtij festivali, Namik Ajazi, në një prononcim për mediat tha se “Giffoni Shqipëria” vjen për herë të pestë në Durrës. Ai shtoi se votimi për gjashtë filmat që do të shfaqen në kategoritë “Free to fly” (për shikuesit mbi 13 vjeç) dhe “Y generation” (mbi 16 vjeç) do të realizohet në përfundim të të gjithë projektimeve, duke iu bashkuar votave të Shkodrës si dhe të Tiranës, ku do të jetë stacioni i fundit i këtij festivali dhe ku do të shpallen fituesit.     

Ajazi shprehu keqardhjen për mungesën e mbështetjes nga disa bashki dhe institucione, të cilat e vështirësuan realizimin e këtij edicioni.     

Shqipëria është organizatori i këtij aktiviteti në Ballkan, tha Ajazi, duke shtuar se pavarësisht vështirësive festivali i filmit për fëmijë edhe këtë vit nuk u ndërpre. Durrësi është një qytet që zhvillon një festival filmi të suksesshëm, por është fatkeqësi që ai si edhe qytete të tjerë ende nuk kanë kinema.     

Gjatë dy ditëve në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të shfaqen filmat “Një mik hebre” nga Leo Khasin (Gjermani), “I humbur në Afrikë” nga Vibeke Muasya (Danimarkë), “Njerëzit prej dëbore” nga Robert Kirbyson (SHBA), “Spud-Spad” nga Donovan Marsh (Afrika e Jugut), “Letra sekrete” nga Simone van Dusseldorp (Hollandë), “Të jetosh në përjetësi” nga Gustavo Ron (Spanjë-Britani).     

Tri fituesit do të marrin pjesë në një masterclass që do të zhvillohet në Itali në korrikun e vitit të ardhshëm që shënon edicionin e 42-të të “Giffoni Film Festival”. Ndërkohë, një juri me të rinj shqiptarë do të udhëtojë drejt Italisë, për t’u bërë pjesë e jurisë ndërkombëtare të Giffonit mëmë në Itali, përfundoi Ajazi.