Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 11:05

Shkup – Regjisori dhe bashkëskenaristi i filmit të metrazhit të gjatë, “Kthimi”, Kastriot Abdyli ka siguruar nga Fondi Filmik i Maqedonisë (Filmski Fond na Makedonija) 200,000 euro për realizimin e filmit, edhe pse filmi ka një vlerë kap totale prej 407,000 eurosh.

Peripecitë e të rinjve të Kosovës në periudhën e viteve 1990-1999, kur jetesa dhe punësimi i tyre ishte pothuajse e pamundur jetesën, ia mësyjnë perëndimit. Ky edhe është fokusi i filmit të metrazhit të gjatë “Kthimi”, të Kastriot Abdylit.

“Kjo temë paraqet një realitet të shqiptarëve, gjegjësisht, një plagë të rëndë – që ndryshe quhet gyrbet. Pra, në pah to të vihet tradita dhe kultura shqiptare, por edhe kundërthëniet mes të traditës sonë dhe asaj perëndimore”, sqaron Abdyli.

Sapo “Kthimi” të jetë i gatshëm në shirit filmik, me gjasë do ngacmojë shumë shqiptarë që jetojnë në perëndim, që për çfarëdo arsye qoftë martohen me gjermane. Filmi, në veçanti, synon të shtjellojë integrimet dhe kontradiktat mes kulturës dhe traditës shqiptare dhe asaj evropiane.

“Kthimi” do të xhirohet në teknikë 35 mm dhe do të zgjasë rreth 104 minuta. Në të fliten dy gjuhë, gjuha shqipe dhe ajo gjermane, por paraprakisht duhet të plotësohet buxheti total për xhirimin e tij, që kap vlerën prej 407,000 eurosh. Gjatë vitit 2010 nga Fond i Filmit të Maqedonisë (Filmski Fond na Makedonija – FFM) janë siguruar 200,000 euro, ndërsa për pjesën tjetër Abdyli po aktualisht po kërkon ndonjë kooproduksion.

Darko Basevski, drejtor i FFM, thotë se “Kthimi” është financuar për shkak se është një projekt shumë interesant dhe me skenar shumë të mirë.

“Skenarët e tillë ne normalisht që i financojmë, pra si kooproduksion. Që nga fillimi i qendrës për financimin e filmit ne kemi dashur që të zhvillojmë sa më shumë kooproduksione, pavarësisht asaj se nga vijnë ata”, u shpreh Basevski.

Bashevski thotë se kësaj qendre i intereson vetëm që filmi të zhvillohet sa më mirë dhe që në realizimin e tij të ketë sa më shumë njerëz që marrin pjesë.

Ndryshe, ngjarja e filmit është vendosur në Kosovën e sotme, ku gërshetohen e vjetra me të renë, tradicionalja me modernen, perëndimorja me ballkaniken, patriarkalizmi me globalizmin.

Abdyli ka vënë në qendër lidhjen ndërmjet tradicionales shqiptare dhe integrimit në kulturën dhe traditën evropiane

“Përmes plakut, kryepersonazhit të filmit, që do ta luaj Selman Lokaj, e paraqes kulturën dhe traditën shqiptare, e përmes nuses gjermane e paraqes traditën dhe kulturën perëndimore. Ndërkaq, përmes djalit e paraqes udhëkryqin e rinisë shqiptare, sidomos të atyre që emigruan në perëndim”, thekson Abdyli.

Filmi ka gjetur përkrahje, ndonëse, sipas, Abdylit, për të tërheqjen e këtij fondit duhet plotësuar një kusht.

“Për tërheqjen e fondit nga FFM, kusht e kam që ta siguroj pjesën tjetër të buxhetit, pra edhe 207,000 euro, ose edhe 51% të financimit (siç është paraparë me rregulloren e fondit)”, sqaron Abdyli, i cili aktualisht është në kërkim të kooproduksioneve. Sipas tij, kasti e aktorëve kryesisht do të jetë nga Kosova, fakt ky që paraqet një problem shtesë, për shkak të pagesës së tyre nga mjetet e ndara nga FFM’.

“Ende nuk mund të mendoj për pjesën tjetër të aktorëve, për arsyeje të buxhetit dhe për shkak se vetë fondi i filmit të Maqedonisë ta imponon që shumica e mjeteve të shfrytëzohen në Maqedoni”, tregon ai.

Por një gjë dihet, ekipi do të ketë aktorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Sipas Abdylit, diku rreth muajit maj duhet të përmbyllet buxheti dhe në një afat gjashtëmujor duhet të bëhet plani operativ për fillimin e xhirimit të “Kthimit”.

Nga ana tjetër, i pyetur për mundësinë e bashkëpunimeve të mëtutjeshme me filmbërësit tanë, Basevski thotë se për këso lloj bashkëpunimesh ata nuk e kanë shqetësim prejardhjen e producentit, (nëse ai vjen nga Irlanda, nga Shqipëria, apo nga Kroacia).

“Ne, thjesht, i financojmë ato projekte që kanë skenarë të mirë”, thotë ai.

FFM edhe më herët ka bashkëpunuar me aktorë dhe kineastë shqiptarë, siç ishte rasti me filmin “East, Ëest, East”, të Gjergj Gjuvanit.

“Edhe këtë vit, ka shumë projekte që kanë arritur në adresën tonë. Ne do t’i shikojmë ato dhe, nëse ndonjëri prej tyre ka një skenar të mirë, atëherë edhe do ta financojmë”, përfundon Basevski.