Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:26

Tiranë – Galeria Kombëtare e Arteve ka përzgjedhur katër artistët e rinj të “Fondit Publik për Artistë Emergjentë në GKA” që do të marrin pjesë në projektet e këtij institucioni në periudhën maj-dhjetor 2011, me synim krijimin e perspektivës për artistët e rinj.

Orion Bimbashi, Blerina Muça, Bujana Demiraj dhe Spiro Laçka janë të rinjtë e përzgjedhur nga konkursi dhe që do të bëhen pjesë e grupeve organizuese në Galerinë Kombëtare të Arteve, sipas nevojave institucionale.

Juria me anetarë drejtorin e GKA-së Rubens Shima si dhe Suzana Varvaricën, Ylli Drishtin dhe Herida Duron, ka përzgjedhur të rinjtë që do të marrin pjesë rregullisht në të gjitha projektet e planifikuara për vitin 2011 ku për secilin do të ketë program të veçantë pune të miratuar nga Drejtoria e GKA-së.

Juria, pasi shqyrtoi tetë dosjet e paraqitura për kandidim, mori vendimin bazuar Urdhërin e MTKRS Nr. 76,  datë 15.03.2011, “Për kalimin e fondit për institucionin e GKA, me destinacion për krijimin e fondit publik për artistët emergjentë në këtë institucion”.

Konkursi u shpall nga GKA në datën 20 prill dhe fituesit priteshin në datën 26 prill, ndërkohë që shpallja e tyre u shty për arsye se në dosjet e shqyrtuara mungonte dokumentacioni i kërkuar.

Sipas GKA-së, objektivat e këtij projekti konsistojnë në rivitalizimin dhe sjelljen e energjive të reja nga këto kontigjente artistësh, ndërtimin e një rrjeti specialistesh dhe kuratorësh të rinj në rajon, ndërtimin e projekteve të përbashkëta me ta, etj.