Lajme Shqip Thursday, 27 December 2012 20:43

Prishtinë- U prezantuan në Prishtinë 100 histori suksesi të qytetarëve shqiptarë më të shquar në botë, përzgjedhur nga Albanian Excellence, me mbështetjen e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe drejtorit të Përgjithshëm të saj, Gëzim Podgorica, i cili ishte i pranishëm në Mbrëmjen Gala natën e kaluar në Prishtinë, organizuar nga zëvendës kryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Sipas ATSH-së, në Mbrëmjen Gala, të organizuar në Hotel “Swiss Diamond Prishtina”, morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës e të Shqipërisë, mes të cilëve ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, si dhe deputetë e personalitete të tjera të njohura nga të dy vendet e bota shqiptare, si dhe ish-presidentët shqiptarë Rexhep Meidani e Alfred Moisiu.

Më shumë të ftuar, mes tyre personalitete politike dhe mediatike, që janë shquar për idetë e tyre në favor të integrimit mbarëkombëtar, shtylla kryesore e  Mbrëmjes Gala ishte prezantimi i 100 individëve me kombësi shqiptare nga e gjithë bota, që kanë arritur të ndërtojnë histori suksesi në profesionet e tyre dhe të cilët janë përzgjedhur nga Albanian Excellence në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mes tyre ka inxhinierë projektues urash të mëdha në SHBA, tenorë me famë botërore si Saimir Pirgu, rektorë universitetesh në Perëndim, muzikantë, artistë, manaxherë në kompani globale telekomunikacioni, etj. 

“Albanian Excellence”, në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, realizuan kështu aktivitetin e parë të shqiptarëve të suksesit dhe në këtë udhë, me shumë dashuri dhe vetëdije u bashkua edhe z. Pacolli”, u tha në mbrëmjen gala të Projektit, të ideuar e iniciuar nga gazetarja Flora Nikolla. 

Një numër prej këtyre personaliteteve të kombit shqiptar kishin ardhur në Prishtinë për të bërë të njohur historitë e tyre, me ftesë të zv/kryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacollit, i cili në fjalën përshëndetëse  në Mbrëmjen Gala dha vlerësimet më të larta me përkushtimin për të ecur së bashku dhe më tej në suksese.

Pacolli është shprehur i nderuar edhe që është zgjedhur  President nderi i Albanian Excellence, e cila do të vazhdojë çdo vit në identifikimin e këtyre personaliteteve të kombit shqiptar në botë.

Në fund të Mbrëmjes Gala, ku kishte edhe artistë të shquar shqiptarë, u shpall edhe institucionalizimi i Lëvizjes për Union Ekonomik Shqiptar, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga Behgjet Pacolli, ish presidentë të Shqipërisë, rektorë universitetesh shqiptare,  politikani i ndjerë Arbën Xhaferi etj. Në favor të këtij institucionalizimi, kanë firmosur një peticion dhe shumë prej këtyre personaliteteve të Albanian Excellence, që do jenë njëkohësisht themelues në organizatën e re.(LajmeShqip.com)