Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 20:15

Integrimi i nxënësve romë, ashkali dhe egjiptianë – një hap i madh përpara dhe shembull që duhet ta ndjekin të tjerët.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khaldoun Sinno, komentoi një shembull shumë pozitiv të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane në shkollën në Fushë Kosovë.

I shoqëruar nga Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, z/ministri i arsimit, Nehat Mustafa, si dhe shefi i zyrës së UNICEF-it, Johannes Wedenig, ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së vizitoi shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë, e cila kohëve të fundit ka integruar 42 fëmijë të këtyre komuniteteve, të cilët nuk kanë vijuar shkollimin për disa vite me radhë.

“Është e mrekullueshme të shohësh gjithë këta fëmijë që tani janë duke vijuar shkollimin. Ky është një hap i madh përpara dhe një shembull që duhet ta ndjekin edhe shkollat e tjera. Shumë fëmijë të tjerë në Kosovë po ballafaqohen me pengesa për vijimin e mësimit. Duhen bërë përpjekje edhe më të mëdha për të siguruar që çdo fëmijë të mund të gëzojë të drejtën e  vet për të pasur qasje në shkollim,” theksoi Khaldoun Sinno.

Mbrojtja e të drejtave të pakicave është një ndër kriteret e Kopenhagës në proçesin e integrimit evropian dhe po ashtu edhe një ndër pikat kryesore në dialogun e ardhshëm për liberalizimin e vizave ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.