Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 15:56

Tiranë – Aktorin Timo Flloko e ka rikthyer në skenën e Teatrin Komëbëtar përsëri një rol i Arthur Millerit, ku pas dramës “Pamje nga Ura” tani në “Shtigat e Salemit” ka interpetuar dy personazhe protagonistë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm.
“Miller është autor gjenial, mesa duket kam dashur t’ja hip kalit dy herë”, shprehet me humor Flloko për këtë zgjedhje për herë të dytë të të njëjtit autor, në një prononcim për mediat.
Në drëmën “Shtrigat e Salemit”, premierë pak ditë më parë në TK, Flloko interpeton Xhon Proktorin, një personazh që gjendet mes tundimit femëror dhe ruajtjes së emrit të tij, por që në fund të shfaqjes, për të shpëtuar të shoqen që rrezikon dënimin, rrëfehen tradhëtinë e tij bashkëshortore dhe për të ruajtur dinjitetin dhe personalitetin e tij shkon në litar. Proktori është personazhi që përcell fatin tragjik të individit në kushtet e mungesës së lirisë.
Përpara Xhon Proktorit, Flloko ka veshur kostumin e Edi Karbonës në dramën “Pamje nga Ura”, një personazh që mbart dramacitetin e jetës së një emigranti italian në Amerikë. Dashuria mes së mbesës Katerinës dhe një emigranti italin ilegal, që Karbone e strehoi në shtëpi, e plagos atë shpirtërisht dhe e çon në vetëvrasje.
Sipas aktorit Timo Flloko, Edi Karbone është një personazh me karakteristikat dhe tiparet e një mesdhetari, më dinamikë në veprimet e tij, me një mentalitet mesdhetar, më ekspresiv në të gjitha pikëpamjet, deri në gjestikulacion. Një personazh me ndjesi të brendshme disi të trazuara dhe i pastabilizuar.
“Ndërsa Xhon Proktori është më i qartë në veprimet e tij, është një karakter më tragjik, sepse lufton për një çështje më të madhe, lufton për personalitetit njerëzor”, është shprehur Flloko.
Karbone dhe Proktori janë dy protagonistë me karaktere dhe tipare të ndryshme dhe Fllokos i është dashur të futet në psikologjinë e tyre, duke realizuar dy figura që të përbashkët kanë fatin tragjik të vdekjes, por që rruga deri aty është e ndryshme.
“Ndërsa Edi Karbone bie në kurthin e vetes, në ndjesitë e trazuara të personalitetit të tij, që as ai vetë nuk i kupton, Xhon Proktori, përkundrazi përpiqet që atë vrull pasional që ka ndaj Abigeilës dhe flirtin që bën me të ta superojë me vullnet. Ai përpiqet ta mposhtë atë dhe të drejtohet në ridimensionimin e dashurisë për gruan dhe familjen e tij”,  tha Flloko.
Në lidhje me këtë kalim nga një personazh i Millerit në një tjetër, ai është shprehur se ka punuar fort dhe se është i qartë në atë që do të mbërijë si karakter.
Tek Edi Karbone Fllokos i është dashur të krijojë një personazh ekspresiv, siç thotë ai, që luan me duar e me këmbë, ndërsa tek Xhon Proktori i është dashur të krijojë një karakter të përmbajtur, më me këmbë në tokë.
Përveç vdekjes, që i pret në fund të dy personazhet e Fllokos, të përbashkët ata kanë edhe tundimin, që tek Karbone është subkoshient e tek Proktori i realizuar.
“Edi Karbone ndjen një xhelozi sa njerëzore, aq edhe atërore me mbesën e gruas, por nuk shkon me të. Kurse Xhon Proktori është koshient për mëkatin që ka bërë dhe përpiqet ta superojë me fuqinë e vullnetit”, tha Flloko.
Dy vepra klasike, dy personazhe që të veshur me kostumet e kohës kur zhvillohen ngjarjet përcjellin fatet e individit të pushtuar nga pasioni e tundimi, ndërmjet dy veprave që edhe pse të shkruara nga Miller vite më parë, kanë aktualitet edhe sot.
Interpetimet e Fllokos në skenat teatrore nuk janë të shpeshta, por tashmë atë mund ta ndjekësh gjatë fundjavës në “Shtrigat e Salemit” në Teatrin Kombëtar.