Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 09:30

Shkodër – Në prag të festës së 28 Nëntorit dhe festimeve të 80 vjetorit të krijimit të Bibliotekës “Marin Barleti”, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës u çel ekspozita “Fishta mes dy Bibliotekave”, me librat e bibliotekës personale të At Gjergj Fishtës, e shkatërruar gjatë diktaturës komuniste. Pjesë e kësaj ekspozite janë të paktën 100 libra të Fishtës, të publikuara për herë të parë për qytetarët e Shkodrës dhe jo vetëm.

Drejtori i bibliotekës, Gjovalin Çuni, tregon se në ekspozitën e hapur sot janë botimet që i përkasin viteve 1500. Institucioni që ai drejton, në bashkëpunim edhe me strukturat vendore dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, po i kushton një rëndësi të veçantë nxjerrjes në pah të vlerave dhe pasurive të mëdha të qytetit verior, pjesë e së cilës është edhe hapja e kësaj ekspozite, kushtuar një emri të madh, siç është ai i At Gjergj Fishtës.

“Sot ekspozohen për herë të parë libra që i përkasin Fishtës së madh, por që padrejtësisht u morën, u vulosën dhe u bënë pronë e shtetit, e atij shteti që e shkatërroi. Për herë të parë, pas më shumë se gjysmë shekulli, simbolikisht i kthehen të zotit. Jemi këtu për t’ia rikthyer Fishtës, të paktën moralisht”, tha Rezarta Draçini.

Pasuria librore e Fishtës ishte pjesë e bibliotekës franceskane, e themeluar në vitin 1875,  fillimisht me një fond të kufizuar librash, për t’u bërë më pas një ndër më të pasurat me libra të rrallë dhe me autorë të mëdhenj.

“Dëshmitë  tregojnë se At Gjergj Fishta dha kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin e saj. Dhe për këtë besoj se ka ndikuar edukimi që Fishta mori në Bosnje, në Kuvendet françeskane atje, në Kraljevo Sutjeska dhe në Livno, gjatë viteve 1888-1893, pasi u njoh nga afër me biblioteka jashtëzakonsisht të pasura, të cilat administroheshin nga kuvendet franceskane”, vijoi Draçini.