Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 18:50

Ferizaj – “Në rrugë”, filmi në regji të Jasmila Zbanicit është shpallur më i miri në edicionin e katërt të Festivalit të filmit të Kosovës “Hyjnesha në fron”, që përfundoi mbrëmë në Ferizaj. Ky film, i cili prezantoi Bosnjën dhe Hercegovinën, fitoi edhe dy çmime të tjera: çmimin për skenarin më të mirë, të shkruar po nga Jasmila Zbanic, si dhe çmimin për aktoren më të mirë, që i takoi Zrinka Cviteshiqit.

Juria profesionale e përbërë nga aktori Enver Petrovci, aktorja Zethana Bahtiri, aktori dhe gazetari Imer Mushkolaj, këngëtari Naser Gjinovci dhe regjisori Ekrem Sopi, ndau edhe çmime të tjera. Për regjinë më të mirë u shpërblye Michele Leclerc, regjisor i filmit “Emri i njerëzve” (Francë). Ky film fitoi edhe çmimin për aktoren më të mirë në rol episodik, që i takoi Michelle Morettit. Aktori më i mirë u shpall Jordan Simonov, për rolin në filmin “Panku nuk ka vdekur” (Maqedoni), kurse me çmimin për rol episodik të mashkullit u shpërblye Bruno Shllaku për rolin në filmin “Gjallë” (Shqipëri).

Në kategorinë e filmave të shkurtër, respektivisht në programin “Kinemaja e së ardhmes”, fitues u shpall filmi i Burim Halitit, “Intervista”.

Juria vendosi që një çmim special t’ia ndajë edhe ish-kryeministrit francez Lionel Jospin, për paraqitjen e tij në filmin “Emri i njerëzve”.

Në festivalin “Hyjnesha në Fron”, që nisi të enjten e kaluar në Ferizaj, u shfaqën pesëmbëdhjetë filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër. Me prodhimet e tyre kinematografike, për çmimet e festivalit konkurruan Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia dhe Franca.

Nga pesëmbëdhjetë filma, tetë ishin të metrazhit të gjatë (artistikë), ndërsa shtatë të tjerët të metrazhit të shkurtër. Në konkurrencë ishin pesë filma të metrazhit të gjatë dhe të gjithë filmat e shkurtër, që janë prodhime të kineastëve të rinj kosovarë dhe u shfaqën në programin “Kinemaja e së ardhmes”. Tre filma të tjerë të metrazhit të gjatë u shfaqën jashtë konkurrencës.

Pjesa konkurruese e festivalit u hap me filmin “Farat e fikut” (Turqi), në regji të Selda Cicek e me Ozge Namal e Derya Durmaz në rolet kryesore, për të vazhduar të premten me filmin “Në rrugë” (Bosnjë e Hercegovinë), në regji të Jasmila Zbanic, me aktorët Zrinka Cviteshiq, Leon Lucev, Ermin Bravo, Mirjana Karanoviq etj. Të shtunën u dha filmi “Panku nuk ka vdekur ” (Maqedoni) në regji të Milan Blazhevskit, me protagonistë Jordan Simonov, Kamka Tacinovski, Toni Mihajlovki e Xhevdet Jashari, kurse të dielën filmi “Emri i njerëzve” (Francë) i regjisorit Michel Leclerc me aktorët Jacques Gamblin e Sara Forestier në rolet kryesore. Të hënën, mbrëmjen edhe kur u ndanë shpërblimet e festivalit, u shfaq filmi “Gjallë” (Shqipëri) në regji të Artan Minarollit, me Nik Xhelilaj, Niada Saliasi, Besart Kallaku e Xhevdet Ferri në rolet kryesore.

Kosova, ndërkaq, u prezantua në festival me “Kinemaja e së ardhmes”, një program i veçantë dedikuar kineastëve të rinj.