Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 14:35

Tiranë – Filmi “Ballkan Pazar” i regjisorit Edmond Budina do të shfaqet në 14 prill, premirë për publikun shqiptar, në kinema “Kristal”, me në qëndër skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit.

Filmi është një komedi që flet disa gjuhë me aktorë nga pesë shtetet, si: Shqipëria, Franca, Italia, Greqia dhe Maqedonia, të cilët interpetojnë një histori të vërtetë, të ndodhur pesë vjet më parë në Përmet, ku shiteshin eshtra fëmijësh dhe grash, si eshtrat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në tokën shqiptare.

Regjisori e ka marë spunton nga kjo ngjarje dhe e ka trajtuar në mënyrë komike dhe me ironi, pasi sipas tij, duke e trajtuar këtë ngjarje tragjike me tragjicitet do të thotë t’i hedhësh benzinë zjarrit, ndërsa komedia sipas tij, është shumë herë më ekspresive përsa i përket këtij problemi.

“Mesazhi i filmit është ai i të lënit pas inatet, nacionalitetet, urrejtjen dhe të shikojmë përpara drejt raporteve të dashurisë me njëri-tjetrin, të mirëkuptimit sepse siç e dime, Ballakani ka qënë një fuçi baruti dhe është shumë mirë që të tregojmë që jemi popuj që dime të jetojmë me njeri-tjetrin”, është shprehur Budina në një interviste në premierën e filmit në Sofje.

“Ballkan Pazar”, një bashkëprodhim italo-shqiptar, është xhiruar në Gjirokastër në Kishën e vjetër të Labovës dhe në role interpretojnë aktorët Karafil Shena, Laert Vasili, Visar Vishka, Nikolla Llambri, Erand Sojli, Valentina Xhezo, Marko Bitrarku, Catherine Ëilkening etj. Ndërkohë që vetë regjisori Budina interpreton një rol protagonist në film, atë të priftit ortodoks.

“Ballkan Pazar” është shfaqur premierë për herë të parë në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje, që u zhvillua në muajin mars, ndërkohë është prezantuar si projekt në Sofia Meeting në vitin 2009 dhe u përfshi në seksionin e Ballkanit në këtë konkurrim.

Filmi me një mesazh paqeje dhe mirëkuptimi, i trajtuar me ironi, është një prodhim i “Erafilm Productions” me producente Sabina Kodrën dhe do të shfaqet në datën 14 prill, ora 20:30, në kinema “Kristal”.

Kjo është hera e dytë që Edmond Budina vjen si regjisor, pas filmit në vitin 2003 “Letra ere”, ndërkohë që ai njihet edhe në interpetimet e tij në filmat “Muri i gjallë”, “Vendimi”, etj.

 

SUBJEKTI

 

Filmi shtjellohet mes dy personazheve femra, Orsola dhe nëna e saj Joli nisen në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait të tyre, i cili kishte qenë në fakt një veteran francez i varrosur në Itali. Dy gratë gabimisht, qëllimisht apo aksidentalisht, përfundojnë në Shqipëri në vorbullën e pazareve ballkanase ku në shkëmbim të parave mund të blesh edhe eshtrat e të parëve të tu. Filmi i regjisorit Budina tallet me historitë qesharake që përfshijnë personazhet si prifti apo njerëzit e fshatit që kanë nxjerrë në ankand eshtrat e të parëve në shkëmbim të milionave. Në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait, nënë dhe bijë gjejnë dhe dashurinë në fshatin e humbur në Jug të Shqipërisë. Krejt naive për atë çka ndodh përreth tyre, vajza bie në dashuri me një shqiptar (gazetarin që po ndjek ngjarjen) dhe nëna me një grek (biznesmeni i eshtrave). Kjo është shtylla tjetër e filmit ku kemi përplasjet e mentalitetit ballkanas me atë europian dhe të dyja gratë bien pre e manipulimit ballkanas.