Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 13:30

Tiranë – Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ia ka dedikur këtë të mërkurë të “Muajit të animacionit” regjisorit Gjin Varfi, duke shfaqur mesditën e sotme filmin e tij të fundit “Mëkatari” si dhe tre filma nga krijimtaria e tij 25 vjeçare.

Ndër realizimet e tij të filmave të animuar u shfaqën në ekranin e AQSHF-së filmi “Ndryshimi” realizuar në vitin 2003, “Besë ujku” realizuar një vit më vonë, si dhe filmi “Bishtprerat” i vitit 2007.

“Mëkatari”, një film i animuar prej 9 minutash, është realizuar në vitin 2010 me skenar të Engjellushe Sanxhakut, si dhe ka konkuruar në Festivalin Ndërkombetar të Filmit të Animuar nga Fëmijët dhe për Fëmijet që u mbajt në Shkodër në 4-9 tetor 2010.

Piktori dhe regjisori Gjin Varfi realizoi në vitin 1984 filmin e parë si piktor “Përparësja e bletës”, nën drejtimin e Vlash Drobonikut dhe dy vjet më pas realizoi filmin e parë si regjisor dhe piktor “Si bëri gjeti” dhe me vonë filmat  “Kërcuri” 1987, “Lekura e luanit” 1989, “Pas nje zenke” 1990, “Mikesha” 1991, “Djali dhe Ofi” 1993, etj.

Për vizatimet dhe animacionin e filmin “Zogu pushbardhë Seria 5”, realizuar në vitin 1985, Varfi u vlerësua me Medalionin e Festivalit të 6 të filmit vizatimor e dokumentar.

Varfi lindi në Tiranë në 14 maj 1954 dhe studioi në Tiranë për skulpturë monumentale. Fillimisht punoi në TVSH, në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe më pas në vitin 1984 në seksionin e filmit vizatimor në Kinostudio.

Gjin Varfi, krahas animacionit, është marë edhe me studimin e stemave të qyteteve, Heraldikën shqiptare ku me hulumtimet e tij zbuloi stema të periudhës mesjetare dhe duke u mbështetur në përvojën shqiptare dhe te huaj filloi t’i rindërtonte ato. Në vitin 1990 realizoi “Simbolin heraldik të principatës së Arbrit”.

Të mërkurën tjetër, 27 prill, është edhe dita e fundit e “Muajit të animacionit” e cila i është kushtuar artistit animator Artur Dauti.