Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 14:50

Lisbonë – Pasi ka marrë një çmim në Berlinale, tre të tjera në Leçe, si dhe ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen, Danimarkë, filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit është nderuar edhe me çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Lisbonë.

Filmi “Amnistia” është zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në OSCAR, në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.

“Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, një prodhim shqiptaro-greko-francez, tregon një histori dashurie të ndaluar mes një burri dhe një gruaje, bashkëshortët e të cilëve vuajnë dënimin në burg. E ndërsa presin amnistinë, dy personazhet e filmit, të cilët e ndeshin njëri-tjetrin në ambientet përreth burgut, dashurohen. Një histori e cila lind në mënyrë të pazakontë dhe që nuk mund të ketë një fund të lumtur.

Historia e Alimanit lëkundet mes të mundurës dhe të pamundurës, mes të moralshmes dhe të pamoralshmes. Një kufi i vështirë për t’u vënë.

Në rolet kryesore të filmit interpretojnë Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi etj.