Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 17:00

Tiranë – Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, prezantuan sot fushatën sensibilizuese për parandalimin e përhapjes së HIV/AIDS në Shqipëri.

Fushata është e bazuar mbi modelin Combi, apo komunikim për ndryshim të sjelljes, ndërsa targeton grupmosha të ndryshme, duke u fokusuar tek sjelljet seksuale të mbrojtura.

Duke prezantuar fushatën, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se në Shqipëri vetëm 4 % e meshkujve përdorin prezervativë, çka konsiderohet dhe shifër alarmante nga specialistët e shëndetësisë. Ndërkohë, ministri Vasili e konsideroi fillimin e fushatës si reformë shëndetësore nga më të rëndësishmet, pasi, sipas tij, fillon nga secili; nga shëndeti personal, shëndeti publik dhe e ardhmja e shëndetshme e kombit.

“Kemi të bëjmë me një fushatë shumëdimensionale, e cila targeton një audiencë të gjerë, nëpërmjet trajnimit të personelit arsimor dhe shëndetësor, e më pas shëprndarjes së materialeve informuese, spoteve radiofonike dhe televizive, emisioneve të  ndryshme në të gjithë vendin”, tha Vasili. Sipas tij, mbetet shumë për t’u bërë në rritjen e marrjes së informacionit të duhur, ndaj nuk duhet të mungojë angazhimi dhe vullneti i mirë për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje.

Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, Zineb Touimi Benjelloun, informoi mbi fushatën, duke theksuar se përgatitja për të ka nisur para një viti dhe ka përfshirë një grup të madh partnerësh. Benjelloun theksoi në fjalën e saj rëndësinë e kësaj fushate për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, veçanërisht HIV/AIDS.

Fushata do të zgjasë një vit dhe ka për qëllim të parandalojë përhapjen e HIV/AIDS. Ajo përqëndrohet në dy sjellje të rëndësishme; vonimi i marrëdhënies së parë seksuale, si dhe rritjen e përdorimit të prezervativit, si e vetmja mënyrë për të parandaluar jo vetëm shtatzanitë e padëshiruara, por dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, përfshi HIV/AIDS.

Combi është një metodologji për planifikimin e aktiviteteve të qëndrueshme në komunikim dhe zhvillim social.