Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 13:10

Shkup – Me filmin “Në një botë më të mirë” të Suzan Bier, fitues i çmimit Oskar për rajonin joanglisht folës, sonte në Kinemanë e qytetit “Milenium” do të hapet Festivali i 10-të i filmit evropian “CineDays” (Sinedejs), i cili deri më 20 nëntor do të ofrojë mbi 70 filma.

Filmat do të shfaqen në të gjitha pesë sallat e kinemave në Shkup – “Milenium”, “Frosina”, “Ramstor”, Kinoteka e Maqedonisë dhe kinemanë me dimensione tejet të mëdha nën qiell të hapur në sheshin “Maqedonia”. Janë paraparë disa premiera, koncerte muzikore, argëtime, ligjërata dhe punëtori.

Në konkurrencën zyrtare janë 12 filma, të përzgjedhur nga Bernd Buder. Në këtë konkurrencë janë filmat “Fusha e zezë” e regjisorit grek Vardas Marinakis,  filmi i regjisores gjeorgjiane Keti Maçavariani…

Këtë vit, programi “Ballkan link” është riemëruar në “Sine Ballkan” dhe në të ka tetë filma. Në Kinotekën e Maqedonisë, në programin e sapovendosur të këtij viti “Vendi në fokus”, do të prezantohen kinematografit e Sllovenisë dhe Gjeorgjisë, së bashku me mysafirë, regjisorë, aktorë dhe përfaqësues zyrtar…

Programi “Maqedonia dhe Evropa” i përmban realizimet e producentëve dhe aktorëve nga Maqedonia, të cilët kanë bashkëpunuar jashtë kufijve të Maqedonisë, në Slloveni, Shqipëri, Turqi, Itali…

Në kuadër të programit muzikor, do të shfaqen tetë filma dokumentar. Në pajtim me narracionin, do të mund të dëgjohen grupe muzikore të cilat krijojnë në drejtimin muzikor i cili është përfshirë në film. Do të interpretojnë grupe muzikore nga Luksemburgu, Kanadaja, Greqia, Britania e Madhe…

Nëpër kryeqytet, disa kafene dhe klube do të shndërrohen në kinema, ndërsa filmat do të mund të shikohen në “Menada”, “La Kanja”, “EM CE EM”, “Balet”, “Laika”.

Në Festival, këtë vit do të ndahen disa çmime – “Ylli i artë” (për film më të mirë), “Ylli i argjendtë” (për regjisor më të mirë), “Ylli in kaltër” (për skenar më të mirë) dhe “Dielli i artë” – çmim për film më të mirë ballkanik. Jurinë e përbëjnë regjisori Ognen Cviliçiq nga Kroacia, kritiku i filmit Nil Jang nga Britania e Madhe dhe regjisori i ri Darjan Pejovski.

Buxheti i Festivalit është mbi 100 mijë euro, prej të cilave një e pesta janë nga Qyteti i Shkupit dhe nga Ministria e Kulturës. Delegacioni i BE-së ka ndihmuar me 600 mijë denarë, ndërsa mjetet e tjera janë nga donacionet.