Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:29

Tiranë – Orkestra e parë Filarmonike Mbarëshqiptare u themelua sot ligjërisht dhe si qëllim kryesor ka nxitjen dhe bashkëpunimin kulturor mes artisëve nga gjithë trevat shqiptare, ndërkohë që koncerti i radhës pritet në vjeshtën e këtij viti.

Në konferencën për shtyp të prezantimit të kësaj orkestre paraditen e sotme në Akademinë e Arteve, pianisti Desat Sulejmani u shpreh se ideja për këtë orkestër lindi në nëntor të vitit të kaluar, kur kjo orkestër shfaqi dhe një koncert në Gjermani dhe është konceptuar si një bashkim kulturor dhe shpirtëror shqiptar.

“Kjo orkestër është në radhë të parë një synim i përbashkët jo për 2 apo 3 koncerte, por për një ide që është forcimi i identitetit tonë kulturor”, tha Sulejmani.

Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare do të përfshijë gjithë prurjet më të mira muzikore të trevave shqiptare, të cilat do të përzgjidhen nga një sistem rotacioni, ndërkohë që tre qendrat e saj do të jenë Tirana, Prishtina dhe Shkupi.

Qëndra Artistike “Orkestra Filarmonike Mbareshqiptare” përbëhet nga artistët themelues si Desar Sulejmani, njëkohësisht dhe kryetar i saj si dhe, Baki Jashari (Kosove), Blerim Grubi (Maqedoni), Isak Shehu (Shqipëri), Sihana Badivuku (Kosovë), Fatos Lumani (Maqedoni) Pjeter Guralumi dhe Bujar Alliu (Shqipëri).

Pas koncertit të rradhës që pritet të jetë në vjeshtë të këtij viti në Tiranë, Prishinë, Shkup dhe treva të tjera shqipfolëse, kjo orkestër do të jape edhe një koncert në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me synim përfaqësimin sa më të madh të muzikës shqiptare.

Violisti Blerim Guri, gjatë konferencës u shpreh se kjo trupë e parë e përbashkët do të ofrojë më shumë artistë shqiptarë dhe interesi kryesor është që të njihen dhe të bashkepunojnë më tepër me njëri-tjetrin.

Ndërkohë që dirigjenti dhe kompozitorit nga Kosova Beki Jashari e cilësoi këtë bashkëpunim artistik si një mision pozitiv. “Instumentistët kosovare do të përfitojnë shumë nga ky bashkëpunim dhe nga përvoja shqiptare”, tha Jashari.

Ndër qëllimet e këtij institucioni të ri muzkor mbarëkombëtar është promovimi i vlerave kulturore dhe i traditave të shumta muzikore ndërmjet muzikantëve, instrumentistëve, dirigjentëve dhe kompozitorëve shqiptarë. Koncertet që do të shfaqe kjo orkestër nuk do të ngelen vetëm brenda trojeve shqiptare, por ajo do të performojë kudo që ka publik sinkron me shpirtin shqiptar.

Fillimisht Orkestra Filarmonike Mbarëshqiptare do të mbështetet nga projektet që do prezantojë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërkohë që themeluesit shpresojnë që në një të ardhme të krijohet një fond i veçante për këtë institucion të sapo krijuar.