Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 18:45

Fier – Vilson Kilica, një nga figurat emblematike të artit figurative ka çelur sot në Galerinë Publike të Arteve Figurative në qytetin e Fierit ekspozitën e dytë vetjake me 40 punime artistike në pikturë, ku spikat teknika në akrilik, krahas asaj në vaj.

Në ditën e parë të hapjes së ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur për një javë, ajo tërhoqi vëmendjen e mjaftë vizitorëve artdashës. Pikturat e ekspozuara shquhen për mjeshtërinë artistike, kolorin dhe pastërtinë e ngjyrave dhe mbi të gjitha për motivin e pasur, gjuhën e gjallë dhe mesazhet jetësore që ato përcjellin tek shikuesi.

“Është një piktor emblemë e artit shqiptar. Duke qenë një artist me përvojë mbi 40 vjeçare,  piktori i njohur ka sjellë një produkt të vetin artistik, ku me gjuhën e ngjyrave, ai i këndon jetës, bukurisë së natyrës, duke sjellë copa peizazhesh nga çdo cep i Shqipërisë”, thotë piktori Pandi Lena.

Për të, Kilica është piktori me një shtrirje të madhe në kohë. Ai vazhdimisht ka qenë në lëvizje dhe i ka kapërcyer kornizat e artit klasik, duke përqafuar denjësisht në formë, përmbajtje dhe  mendim estetik artin bashkëkohor,tha Lena.

“Kilica prezantohet sot me peizazhe, portrete, kompozime me gjuhë mjaft të kthjellët dekorative  dhe komunikative me njerëzit,”, vlerëson piktori Lena.

Botformimin rinor, piktori  81 vjeçare ka marrë në qytetin e Fierit, më pas ai përfundoi  Liceun Artistik në Tiranë e më vonë Institutin e Arteve në Leningrad të Rusisë.