Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 17:20

Tiranë – Festivali i këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, do të sjellë, në këtë edicion të 50-të, jo vetëm garën mes konkurrentëve, por edhe një spektakël retrospektivë.

Drejtuesit e festivalit, gjatë konferencës së sotme për shtyp në RTSH,  e cilësuan këtë edicion si një festë të madhe të këngës së lehtë shqiptare. Sipas drejtorit të festivalit, Martin Lekës, ky përvjetori i festivalit e bën edhe më të rëndësishëm këtë event artistik.

Risia e këtij edicioni është ekzekutimi live nga Orkestra Simfonike e RTSH-së e të gjitha këngëve si dhe nga një bandë muzikore e udhëhequr nga Shpëtim Saraçi. Do të jetën 53 instrumentistë që do të luajnë tingujt e 28 këngëve konkurruese të festivalit. Në këtë 50-vjetor është menduar që në natën e tretë të festivalit, të interpretohen 26 këngë fituese ndër vite, disa nga vetë artistët fitues dhe të tjerat të përshtatura nga këngëtare të tjerë.

Juria e festivalit ende nuk është përzgjedhur, por edhe këtë vit nuk do të jetë publiku ai që do të zgjedh fituesin, një mundësi kjo për të shmangur spekulimet e shumta në lidhje me fituesin. Sipas udhëheqësit artistik të festivalit, Shpëtim Saraçi, në një edicion të 50-të, nuk janë kushtet për eksperimente. Ndërkohë që edhe pse janë përfolur disa emra, ende nuk janë zgjedhur as drejtuesit e festivalit, që sipas regjisorit Osman Mula, mund të jenë ose drejtues të vjetër të festivalit, ose pse jo të promovohen emra të rinj.

Festivali i fundvitit, siç njihet ndryshe ky festival, këtë vit do zhvillohet pikërisht në ditët e fundit të muajit dhjetor, në datat 26, 27, 28, 29 dhjetor. Pas prezantimit të këngëve, dy netët e para dhe pas mbrëmjes retrospektivë, çmimet do të ndahen në natën e katërt në Pallatin e Kongreseve.

Në garë për çmimin e madh do të jenë këngëtarët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr.Flori, Elhaida Dani, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Saimir Braho, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj, Xhensila Myrtezaj.

Veç këngëtarëve që kanë vite që kanë interpretuar në festival, këtë vit marrin pjesë dhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj.
Festivali i këngës në RTSH zhvillohet çdo fundviti që prej vitit 1961 dhe që prej vitit 2003 kënga fituese e këtij festivali ka përfaqësuar Shqipëri në Eurovizion. Fituesja e edicionit të kaluar ishte Aurela Gaçe me këngën  “Kënga ime”, e teta 8-të që shkoi në Festivalin e Këngës “Eurovizion”.