Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 09:13

Paris – Në Paris nga data 12 prill ka filluar festivali i filmit për Evropën Juglindore, i cili do të zgjasë deri më 17 prill.

Në këtë festival po përfaqësohen Shqipëria, Sllovenia, Turqia, Rumania, Greqia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova.

Festivali i Filmit i Evropës Juglindore, nikoqir i të cilit është kryeqyteti francez, Parisi, këtë vit ka rezervuar vend edhe për dy filma nga Kosova.

Gazetari Qani Mehmedi i cili atje është ftuar në cilësinë e anëtarit të Këshillit Artistik të Festivalit të Filmit, thotë se ky festival në masë të madhe është në shenjë të Kosovës dhe flamuri i Kosovës, tashmë ka zënë vendin e më të dukshëm, në mesin e vendeve ballkanike.

Të premten në festival është në radhë shfaqja e filmave të autorëve nga Kosova, Jeton Ahmetaj dhe Korab Lecaj.

Filmi “Gjini” do të shfaqet në kategorinë e filmave të shkurtër dhe është jashtë garës, përderisa “Gomarët e kufirit” do të garojë për çmimet e festivalit në kategorinë e filmave artistikë. Sipas ueb-faqes zyrtare të Festivalit të Evropës Juglindore, për gjashtë ditë do të shfaqen projekte kinematografike të vendeve të ndryshme, duke përfshirë Shqipërinë, Slloveninë, Bullgarinë, Bosnjën. Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, Turqinë, Rumaninë,etj.