Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 09:46

Tiranë – Një program i veçantë filmash do të spostohen nga Amfiteatri antik i Durrësit në metropolin e Tiranës, në kuadër të edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.

Duke filluar që nga dita e sotme ora 12:00, në kinemanë e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit do të shfaqen disa prej filmave të seksioneve të ndryshëm. I pari do të jetë filmi turk “Qentë e zi që lehin” i regjisorit Mehmet Bahadir Er. Ky filmi është pjesë e seksionit “Takimet e ngushta”, që në dicionin e sivjetshëm fokusohet në kinemanë e re turke.

Filmi, një premierë kombëtare, do të jetë në gjuhën origjinale me titra në anglisht. Ai portretizon të rinjtë ambiciozë dhe rebelë në kërkim të një rrugëdaljeje dhe mundësie për t’u bërë dikush. Filmi është realizuar nga regjisori dhe e shoqja e tij ukrainase, Maryna Gorbach, pas një vrojtimi që ata i kanë bërë jetës nëpër geto. Regjisori na tregon se si pabarazia e zhvillimit ekonomik ndikon te qeniet njerëzore.

Për të rinjtë që jetojnë në periferi të megapolit Stamboll dhe që vijnë nga Anadolli lindor, jeta nuk është shumë premtuese. Ata i përkasin klasës punëtore, janë të varfër dhe rrallë kanë mundësi të mira shkollimi. Puna në një firmë private sigurimi fizik, si truprojë në një merkatë të madhe në Stamboll, duket një mundësi e shkëlqyer për ta, pasi alternativa tjetër është të punojnë për organizatat e krimit.

Për regjisorin 29-vjeçar Mehmet Bahadir Er ky është filmi i tij i parë me metrazh të gjatë, ndërkohë që një nga filmat e tij me metrazh të shkurtër, “The earthquake” mori çmimin e parë si filmi më i mirë i shkurtër në Instambul Independent Film Festival.

Shfaqja e filmave paralelisht në Durrës dhe në Tiranë është një risi për edicionin Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës të këtij viti, i cili do të “shpërngulet” edhe në qytete të tjera në vazhdim.