Lajme Shqip Saturday, 22 December 2012 18:05

TIRANË – Festivali i 51-të i këngës në RTSH do të kurorëzojë sot në mbrëmje fituesin e saj, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong. Ndryshe nga ç`ishte parashikuar, gjatë natës finale nuk do të konkurojnë 18 këngë, por 17 të tilla, pas heqjes nga gara të këngës “Më ler një ëndërr”, e kënduar nga Ani Çuedari, me kompozim të Endri Tolës. Vendimin e ka marrë juria e festivalit pasi ka vërejtur ngjashmëri të këtij krijimi artistik me të një krijimi tjetër të këngëtares J-Min nga Korea e Jugut. 

Sot në mbrëmje në natën finale të festivalit, 17 këngëtarët që do të paraqesin sërish këngët e tyre, do të jenë: Selami Kolonja, Rosela Gjylbegu, Kejsi Tola, Vesa Luma, Dr.Flori & Fabian Basha, Merland Kademi, Rezarta Smaja, Ardian Bujupi, Xhejn dhe Enxhi Kumrija, Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko, Hersi Matmuja, Lynx, Anjeza Shahini, Kelly, Bojken Lako, Valon Shehu dhe Flaka Krelani. 

Festivali i 51-të i këngës në Radio Televizionin Shqiptar vjen në drejtimin artistik të kompozitorit dhe orkestruesit Shpëtim Saraçi dhe do të prezantohet nga Enkel Demi dhe Floriana Garo. Regjia e Festivalit u është besuar dy regjisorëve të mirënjohur nga Kosova, Agron Vulaj dhe Astrit Idrizi. Skenari është realizuar nga Engjëll Ndocaj dhe Edi Oga. Ndërkohë skenografia u ideua nga skenografi Adnand Kastrati.
Gjatë të dy netëve të festivalit, përveç 26 këngëve konkuruese, erdhën për publikun edhe këngë nga Festivali i 11-të i RTSH-së, të interpretuara nga artistët që i kanë kënduar për herë të parë e disa të tjera nga artistë të rinj. (LajmeShqip.com)