Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 16:41

Tiranë – Sipas Ministrisë së Arsimit, data 3 prill është afati i fundit për të gjitha shtëpitë botuese, të cilat pritet të dorëzojnë variantet e tyre.

Në garë janë 13 shtëpi botuese, nga të cilat do të zgjidhet vetëm një, për të botuar tekstin e parë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Teksti i Abetares do të ketë një standard të njëjtë gjuhësor dhe pavarësisht varianteve që do të konkurrojnë, vetëm një abetare do të shpallet fituese nga komisioni i vlerësimit.

Pas afatit të vendosur, fituesi do të shpallet në fund të muajit prill dhe fëmijët shqiptarë të të dy republikave, do e nisin vitin e ri shkollor me Abetaren e përbashkët.

Kjo abetare do t’i bashkëngjitet tre abetareve ekzistuese alternative në Shqipëri, të cilat përzgjidhen çdo vit nga mësuesit, ndërsa në Kosovë do të jetë e vetmja.

Abetarja unike me titullin “Abetare e Përbashkët Shqipëri-Kosovë” do t’u ofrohet dhe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporë.

Unifikimi i teksteve shkollore është nisëm mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.