Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 15:00

Tiranë – Filmi “Falja e gjakut”, që prej datës 24 shkurt do të fillojë produksionin e tij në kinematë amerikane, duke çuar kështu një copë nga tradita e gjakmarrjes në Shqipëri. Festivali “Sundance Selects” ka marrë përsipër shpërndarjen e filmit në 40 kinema amerikane në Los Angeles, Texas, Florida e Çikago, ndërkohë që premiera do të jetë në New York.

Grupi i aktorëve nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria do të udhëtojnë për në kryeqytetin e botës në premierën që do të shfaqet atje.

Filmi, një produksion shqiptaro-amerikan, me regji të Joshua Marston, me skenar të tijin dhe të Andamion Murataj, trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17-vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij.

Rrëfimi i familjes shqiptare, që izolohet për shkak të gjakmarrjes, ka shëtitur pak kohë më parë edhe në Hollandë. “Falja e Gjakut” është vlerësuar me “Ariun  e Argjendtë” në Berlin, Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të New York-ut, për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, etj.

Pas filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit ky është një tjetër histori shqiptare që projektohet në kinematë amerikane. (LajmeShqip.com)