Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 15:31

Prishtinë – Imazhi i një ylli në formë barke, që bllokohet mes detit, të cilën e ka thurur një artist shqiptar, është karikatura më e mirë e vitit 2011 në Itali. Vepra me titull “Evropa në det me dallgë” e piktorit shqiptar Agim Sulaj, sipas medieve shqiptare, është shpallur vepra më e mirë e publikuar në shtypin italian. Karikatura e Sulajt ishte botuar në “Romagna Corriere” më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Konkursi në të cilin ka triumfuar artisti shqiptar, për të dytën herë është organizuar nga përfaqësia e Komunitetit Evropian në Itali dhe nga “Internazionale”. Ceremonia e ndarjes së çmimit është mbajtur të dielën në teatrin e qytetit të Ferraras.

Artisti Agim Sulaj, në shtator të këtij viti kishte vizituar Kosovën. Ai ka qenë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare të karikaturës “Kosova Award”, nga e cila ka dalë me trofe. Sulaj ka ndarë çmimin “PErtej”, bashkë me kolombiano-spanjollin, Omar Figueroa Turcios dhe Rainer Ehrt nga Gjermania.

Agim Sulaj është piktor shqiptar, i lindur në Tiranë më 1960. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1985. Si piktor ai nisi punën në revistën politike e satirike “Hosteni”. Më 2010, ai doli triumfues në garën për çmim kombëtar italian për humor dhe satirë “CartoonSEA”. Po ashtu, është fitues i garës artistike “Brothers of Italy”. Puna e tij është vlerësuar si “ilustrim satirik surreal”.(LajmeShqip.com)