Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 12:30

Tiranë – “Ëndrra në papafingo”, është një komedi ku interpretojnë tetë personazhe në një shtrat. Kjo është premiera e re që do të shfaqet mbrëmjen e nesërme në Teatrin e Metropolit.

Bëhet fjalë për një multikomedi ku interpretojnë tetë personazhe. Tetë situata në një shtrat. Tetë ëndrra në një shtrat. Tetë aktorë, që dashurojnë brenda një shtrati. Aktorët Natasha Sela, Albana Sançolli, Kastriot Rramollari, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Denis Kurushi, Klesta Shero, Olta Çali, nën regjinë e Erion Isait do të interpretojnë situate komike të veprës.

“Ëndrra në papafingo” në fakt i takon pjesës së Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”, e shkruar ndoshta në vitin 1595. Në veprën janë një grup zanatçinjsh, si hidraulikë etj, që i mbledh një poet amator Petiftoi. Ky poet ka shkruar veprën “Komedia më e pikëlluar dhe vdekja më mizerale e Piramit dhe Tizbi”, i cili këtë herë zgjedh zanatçinjtë për të qenë protagonistë të veprës së tij.

Protagoniste e shfaqjes, aktorja Natasha Sela kësaj here do të interpretojë rolin e një burri, për të cilin ajo është shprehur se është një rol shumë interesant. “Ky personazh mashkull është me një temperament shumë ekspresiv, dhe herë pas here jep mendime dhe vepron sipas mendjes së tij. Nuk ka qenë një rol i lehtë, madje i vështirë, por më ka ndihmuar shumë edhe zëri im, pasi tani është i pjekur, por më ka ndihmuar edhe përvoja në skenë”. tha Sela në një prononcim për mediat, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë për të që interpreton në rolin e një burri.

Komedia që do të shfaqet të shtunën në Teatrin e Metropolit do të jetë falas për publikun.

“Ëndrra në papafingo” është premiera e rradhës e stinës artistike të Teatrit të Metropolit.