Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 11:47

Realiteti kosovar dhe ai serb do të takohen në dërrasat e teatrit. Një kastë aktorësh të të dy vendeve do të ngjiten në skenë për të trajtuar artistikisht atë që ka ngjarë midis serbëve dhe shqiptarëve gjatë një shekulli dhe për të dhënë shembullin e bashkëpunimit duke bashkuar vlerat e përbashkëta.

Projekti teatror që tashmë është në fazën fillestare, “Enciklopedia e të gjallëve” për bartësit e tij është një intervenim artistik në realitetet në Serbi e Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qendra “Multimedia” në Prishtinë dhe ajo për “Dekontaminim kulturor” në Beograd janë bërë bashkë për të konkretizuar projektin që pos shfaqjes teatrore, përfshin edhe botimin e një libri me dokumente, fakte dhe shkrime të ndryshme, si dhe realizimin e një portali me materiale rreth shfaqjes dhe projektit si tërësi.

Drejtori i qendrës “Multimedia”, dramaturgu Jeton Neziraj, ka thënë se baza mbi të cilën do të realizohet shfaqja është libri i autorit serb Dimitrije Tucoviq “Serbia dhe Shqipëria” i vitit 1914. Tucoviq (1881-1914) ende sot përmendet për qasjen e tij ndaj politikave serbe. Qysh para një shekulli ai ishte më i zëshmi kur shkruante për synimet e Serbisë që nëpërmjet Shqipërisë të dilte në det. “Serbia nuk ka hyrë në Shqipëri si vëlla, por si pushtues dhe me politika harbutërie e ka shtyrë popullin shqiptar në urrejtje ndaj çdo gjëje serbe”, kishte shkruar ai.

“Shfaqja nuk do të përcjellë standardin e promovimit në konceptin multietnik, por do të koncentrohet në të vërtetën dhe në nivel të lartë artistik”, ka thënë Neziraj për shfaqjen, regjisor i së cilës është Zlatko Pakoviq nga Beogradi.

Aktorët kosovarë në “Enciklopedia…” do të jenë Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Faris Berisha dhe Besnik Krapi. Koreografia i është besuar Gjergj Prevazit nga Tirana e skenografinë do ta bëjë Marija Papuçevska nga Shkupi