Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 17:30

Gjirokastër – Tabelat orientuese me emërtimet e vendosura pak muaj më parë në rrugët, sheshet dhe rrugicat e Gjirokastrës, të cilat identifikojnë edhe adresat për qytetarët, krahas rëndësisë që ato kanë, të befasojnë me emërtimet, pasi jo pak prej tyre, për pjesën më të madhe të gjirokastritëve mbeten emra anonimë dhe të padëgjuar më parë.

Por nëse vendosja e emrave në rrugët e qytetit ishte një domosdoshmëri që mori një zgjidhje, opinioni mbarëqytetar është befasuar me një pjesë të konsiderueshme të emërtimeve, pasi jo pak nga këto emra për ta nuk  njihen për merita të veçanta.

Sipas Agron Baboçit, banor i hershëm i lagjes “Manalat” , në Gjirokastër, mjaft nga emrat e personave të  vendosur në tabelat e rrugëve dhe rrugicave nuk kanë ushtruar ndonjë veprimtari publike, por kanë qënë qytetarë të zakonshëm, apo të panjohur nga vetë banorët.

Në lagje të tilla  historike si “Manalat”, ” Dunavat”, “Varosh”, “Pazar i Vjetër”, etj, banorët thanë se disa nga emrat që emërtojnë rrugët nuk kanë asnjë lidhje me lagjet e tyre, madje në Gjirokastër , thonë ata, disa emra janë importuar nga komunat e rrethit.

Hazis Duro, shpërndarës shtypi, thotë se në lagjen e tij emërtimet e vjetra të rrugëve janë zëvendësuar me emra të rinj, por sipas tij, të palogjikshëm dhe që kanë befasuar qytetarët. Ruajtja e emrave të vjetër, të kaluar nga njëri brez në tjetrin, do të ishte një veprim normal, thotë Hazisi.

Ndërsa Adelina Asllani, mësuese në gjimnazin e Gjirokastrës, tregon se në lagjen ku ajo banon, prej më shumë se 25 vjetësh gjen emërtime të tilla si “Rruga e Bilbilenjve”, “Lufta e Mashkullorës”, e të tjera emërtime të ngjashme me këto dhe që sipas saj, janë të pashpjegueshme, pasi edhe “Bilbilenjtë”, edhe “Lufta e Mashkullorës” u përkasin të tjera zonave, thotë Adelina.

Për të, vendosja e emërtimeve duhet të ishte diskutuar nga një komison i posaçëm, për t’i kaluar më pas Këshillit Bashkiak të qytetit.

“Gjirokastra ka mjaft emra personalitetesh të shquara për të emërtuar rrugët apo objektet e ndryshme dhe nuk ka pse vendosen emra anonimë, apo të importuar nga komunat”, argumenton Adelina.

Ndërsa Dasho Sejdo, shefi Shërbimeve në bashkinë e qytetit, pranon se në vendosjen e emërtimeve të rrugëve ka pasaktësi dhe paqartësi dhe pjesa më e madhe e tyre, sipas tij, është marrë nga një projekt i ish-Komitetit Ekzekutiv, para viteve 90.