Lajme Shqip Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 16:15

Tiranë – Aktorja me famë botërore Eliza Dushku do të jetë Ambasadore Nderi e Tiranës në botë, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, pas një takimi të dielën në ambientet e bashkisë me aktoren Dushku, konfirmoi për mediat se, ajo pranoi propozimin e tij për të përfaqësuar fuqimisht Tiranën dhe për të ndihmuar në vendosjen e saj në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës.

“Jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet sot në Tiranë dhe besoj se  flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës që e kanë pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi të kënaqur dhe entuziastë për vizitën e saj, që padyshim që do të shërbejë për ta vendosur Tiranën fuqimisht në hartën turistike të botës”, tha Basha.

Ai vlerësoi faktin se prezenca e saj në dokumentarin që do të prezantohet në rrjetet më prestigjoze të botës për turizmin në Shqipëri, do të vendosë Shqipërinë në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës.

Ndërsa aktorja Eliza Dushku u shpreh e kënaqur për këtë vizitë në Shqipëri dhe deklaroi se turin e saj do e fillojë nga qytetit i Korçës, ku do të paraqitet dokumentari për promovimin e turizmit për vendin. Më pas Dushku, do të vijojë vizitën e saj në qytete të tjera të Shqipërisë.

Aktorja Eliza Dushku ka lënë pas angazhimet kinematografike në Hollivud dhe është rikthyer në Shqipëri, në vendin e të parëve të saj, por kësaj here më një mision. Për 10 ditë me radhë, e shoqëruar nga një grup xhirimi amerikan, aktorja 31 vjeçare do të udhëtoj nëpër Shqipëri për të dokumentuar bukuritë dhe vlerat e vendit të origjinës që e përmend me krenari sa herë që i jepet rasti.

Bashkë me Elizën në realizimin e dokumentarit për Shqipërinë do të kontribuojnë dhe artistë të tjerë me famë botërore si soprano Inva Mula, fotografi Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani.

Eliza u lind më 30 dhjetor 1980 në Boston. Babai i saj është shqiptar nga Korça, ndërsa nëna daneze.