Elbasan- Qindra të rinj tetovarë kanë nisur turneun turistik në Shqipëri, ku stacioni i parë ka qenë qyteti i Elbasanit. Rreth dhjetë autobusë kanë parkuar në bulevardin “Qemal Stafa” të qytetit ku të rinjtë vizitën e parë e kanë realizuar në kompleksin historiko-turistik “Skampini”, e më pas në të gjitha objektet e tjera turistike të lagjes “Kala”.
Janë mbi 400 të rinj dhe të reja që për herë të parë vizitojnë qytetin e Elbasanit të shoqëruar nga mësuesit kujdestarë të tyre. Impresionuese dhe mbresëlënëse është cilësuar nga turistët ky kontakt i parë në tokën e shtetin mëmë. Më pas grupi i të rinjve ka shëtitur i organizuar qytetin e Elbasanit, vizitë kjo që ka vazhduar mbi katër orë. Nata e mbrëmshme në këtë qytet ka pasur si mysafir grupin e turistëve të Tetovës, të cilët janë akomoduar sa në hotelet e qytetit , sa në banesat private.
Diellza, një gjimnaziste nga Tetova, tha se “qyteti i Elbasanit i njohur nga unë vetëm nëpërmjet internetit ishte me të vërtetë i bukur, një qytet me objekte të mrekullueshme, ku edhe pasqyrohet më shumë bashkëjetesa fetare, pasi brenda lagjes ” Kala” ndodhej edhe kisha dhe xhamia”.
Turi i ekskursionistëve do të vazhdojë në shumë qytete të tjera të Shqipërisë dhe destinacioni i dytë është Berati.