Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 19:09

Elbasan – Tre hamame, (banja publike me ujë ose me avull), të ndërtuara kryesisht  gjatë pushtimit otoman, ndodhen në qytetin e Elbasanit, një qytet i lashtë në qendër të Shqipërisë dhe me një histori, që nis që në shekullin e II-të, Para Krishtit.

Të shpallura Monumente Kulture, këto hamame, të ndërtuara kryesisht kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin otoman, por edhe më parë, pavarësisht se ndodhen jashtë funksionit, prezantojnë vlera të mëdha si arkitekturore, ashtu edhe historike.

Një prej tyre ndodhet në dalje të qytetit në stacionin “Ad kuintum” ose (stacioni i pestë) i cili njihet si stacioni i rrugës Egnatia. Ndodhet në fshatin Bradashesh, dhe është shpallur Monument kulture, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës.

Historiani Kreshnik Belegu thotë se, “kjo banjë, e njohur ndryshe si hamam, është ndërtuar përgjatë rrugës Egnatia për t’i shërbyer qytetarëve edhe si mutatio, stacion pushimi”.

Sipas Belegut “stacioni “ad kuintum” apo “stacioni banja” ka një planimetri drejtkëndëshe me sipërfaqe 130 m2 me këto mjedise, përbëhet nga dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes ( aktualisht e rrënuar) që shërbente për  lidhjen e mjediseve, ndërsa muret e hamamit janë ndërtuar me muraturë të përzier”.

Dikur furnizimi me ujë në këtë stacion bëhej me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi.

Sipas Belegut, “ngrohja e ujit dhe mjediseve kryhej me anë të furrës dhe një sistemi hipokaust, që do të thotë, gazrat e nxehtë të krijuara nga djegia e druve qarkullonin së pari nën dysheme dhe në muret e mjedisit të nxehtë si dhe në paretet e mureve”.

Banjat e këtij stacioni kanë një zgjidhje racionale planimetrike dhe estetike. I ndërtuar në shekullin e II të erës sonë, në këtë banjë kishte personel që shërbente për masazh, për pastrimin e të pafuqishmëve, për mirëmbajtjen, për zjarrin e pastërtinë.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX -të, gjatë kohës së rregjimit komunist, këto banja u mbyllën, dhe në vitet e fundit të shekullit të XX – të, ato që i kanë qëndruar kohës ruhen si objekte historike e monumente kulture.

Tashmë ky stacion është rrënuar thuasje tërësisht, muret dhe planimetra e tij janë amortizuar, ndërsa inertet e shtëpiave të ndërtuara pas vitit 1991 kanë ndotur të gjithë sipërfaqen e stacionit.

Duke qenë se njihej si stacioni “ad kuintum” kjo lagje mori emrin “Stacioni i Rrugës Egantia”. E ndërsa turistët që vijnë në Elbasan, prezantohen me vlerat kulturore, natyrore, arkeologjike të qytetit, janë të rrallë ato që shkojnë e vizitojnë stacionin, pasi rruga që të çon atje është tejet e amortizuar.

Për këtë qëllim Belegu shprehet se, “ky monument kulture është drejt zhdukjes, dhe duhet menjëherë që të ndërhyhet për të rikthyer vlerat që ka pasur dikur, dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet një investimi për pastrimin dhe rrethimin e stacionit.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës Bradashesh ka deklaruar se, “së shpejti, me vendim të Këshillit të Komunës, do të akordojë një fond për rikonstruksionin e stacionit “ad kuintum”, me qëllim rikthimin e vlerave të tij, që të vizitohet jo vetëm nga turistë të huaj, por edhe ato vendas”.