Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 13:30

Elbasan – Në ditën e çlirimit nga pushtimi fashist, përfaqësues të pushtetit lokal  dhe veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare në Elbasan vendosën  sot kurora me lule në lapidarin kushtuar 23 partizanëve të Brigadës së XVI-të Sulmuese, të cilët dhanë jetën për çlirimin e qytetit, 67 vjet më parë.

Në homazhet e zhvilluara në nderim të aktit heroik të partizanëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit,  veteranët e pranishëm në këtë ceremoni vlerësuan se luftuan për një Shqipëri demokratike, Evropiane, dhe që sipas tyre po kthehet në një realitet.

 -Aty ku së pari janë ngritur flamujt e fitores-

Akt i popullit të Elbasanit e krahinave të tij, ishte pavarësia e qytetit, i cili ngriti i pari flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë në 25 Nëntor të vitit 1912. Ishte lëvizje e menduar e Aqif Pashë Bicakçiut (atdhetar, personalitet politik,burrë shteti), bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ismail Qemalit, për t’ju kundërvënë marshimit  të ushtrive Serbe, në drejtim të Elbasanit.

Ky akt dëshmonte se ushtritë pushtuese viheshin përpara një fakti të kryer dhe se nuk duhet të shkelnin në trojet e shtetit të pavarur shqiptar.

Në telegramin që populli i Elbasanit i dërgon në Vlorë Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë janë shumë firmëtarë, patriotë të qytetit e krahinave përreth. Mbas Shpalljes së Pavarësisë Elbasani do të luftonte për të çliruar qytetin, nga nazistët gjermanë.

32 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë, qyteti do të çlirohej nga pushtuesit nazistë gjermanë më 11 Nëntor të vitit 1944.  Për çlirimin e tij u angazhuan forcat partizane të brigadës së XVI – të Sulmuese. Gjatë luftimeve për çlirimin e qytetit nga radhët e saj dhanë jetën 23 partizanë. Vetëm nga radhët e normalistëve ranë në luftën për çlirim mbi 70-të dëshmorë. Shumë të tjerë u vranë, internuan apo u torturuan, në burgjet, kampet e përqendrimit të pushtuesit fashist apo nga lufta e brendshme vëllavrasëse.

 – Dëmet ekonomike shkaktuar nga lufta e Dytë Botërore-

Gjatë luftës së Dytë Botërore qyteti pësoi dëme të mëdha materiale dhe ekonomike si dhe humbje në njerëz,  u dogjën krejtësisht 1263 shtëpi, 236 të tjera u dogjën pjesërisht, u shkatërruan 221 metra urë kryesore prej betonarmeje dhe 110 metra urë dytësore prej guri.

U grabitën me mijëra bagëti të imta, gjedhë dhe kafshë pune, si dhe u prishën 383 kilometra rrugë automobilistike. Dëmet kapnin shifrën e mbi 28 00000 franga ari, ndërsa dëmet në pasuri të paluajtshme (sende shtëpiake, mallra ushqimore, vegla pune e pajisje bujqësore e industriale) kapnin shifrën e 2.600.000 franga ari.

Dëme gjatë çlirimit të Elbasanit pësuan edhe qindra libra të ish Normalistit Sulejman Kurani, i cili kishte në qendër të qytetit një librari me libra shqip që nga viti 1784 e më tej. Aso kohe Kurani ndodhej në librarinë e tij, dhe pa me sytë e tij teksa i digjeshin me qindra libra në qendër të qytetit.