Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 19:08

Elbasan – Bazilika paleokristiane, e zbuluar në vitin 2007 nga arkeologët dhe e shpallur “Monument kulture”, do të rikonstruktohet duke u kthyer në një model në gadishullin e Ballkanit.

Komuniteti Europian ka akorduar një fond prej 1.2 milionë euro për rikonstruksionin e “Rrugës Egnatia”,vazhdimin e punimeve në Bazilikën Paleokristiane, si edhe rivitalizimin e kalasë.

Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini tha për ATSH-në se, “pas pak ditësh do të nisin punimet për zbatimin e një projekti të hartuar nga Bashkia e Elbasanit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për mbulimin me xham të mozaikut paleokristian të zbuluar në vitin 2007, vazhdimin e gërmimeve të këtij mozaiku, shtrimin me kalldrëm të kalasë së Elbasanit dhe një pjesë të Via Egnatias”.

Sipas Sejdinit, një pjesë e këtij fondi do të përdoret për zgjerimin dhe restaurimin e Bazilikës paleo-kristiane shumë pranë Rrapit të Bezistanit.

Elbasani përshkohet nga Via Egnatia, rrugë që lidhte Perandorinë Romake të lindjes me perëndimin. Për këtë qëllim pjesë e këtij fondi do të jetë edhe investimi në pikën kryesore të “Via Egnatia”, e cila është mozaiku paleokristian, i zbuluar në vitin 2007.

Ky projekt, sipas arkeologut Neritan Ceka, cilësohet si model, që nuk njihet në Ballkan dhe në Shqipëri.    “Ai parashikon mbulimin e mozaikut me xham, ku qytetarët dhe turistët do të kalojnë sipër për ta parë atë. Kjo është përvoja e parë, që do të realizohet në Ballkan me fondet e BE-së”, tha Sejdini.

Projekti është hartuar nga dy specialistë në fushën e teknikës, ndërsa parashikohet që ai ta kthejë Elbasanin në një qytetet atraktiv, përsa i përket turizmit, pasi çdo ditë po zbulohen vlera të antikitetit.

Bazilika është shpallur Monument Kulture dhe tashmë është në varësi të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kjo bazilikë është një ndër më të rrallat në vendin tonë. Zbulimi i saj u bë në bazë të disa dokumenteve të ruajtura në arkivën e Muzeut Etnografik, ku një tregtar shkruante se në themelet e dyqanit të tij ndodhej një bazilkë.   Bashkia e Elbasanit ka bërë disa herë kërkesë për nisjen e punimeve për mbulimin e bazilikës, pasi ditët e fundit ajo është kthyer në një objekt mbeturinash, si pasojë e papërgjegjshmërisë së shumë qytetarëve.

Sejdini shton se “me këtë investim madhor të kryer me ndihmën e Komisionit Europian, qyteti i Elbasanit do të kthehet në një qytet turistik, për nga vetë vlerat e mëdha arkeologjike që ai ka”.