Lajme Shqip Saturday, 19 September 2015 09:54

Xhirimet satelitore dëshmojnë se si lokalitetet arkeologjike në Siri janë në shënjestër të gërmimeve ilegale.

Një gjë të tillë autoritetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë – UNESCO e kanë cilësuar si vjedhje industriale dhe se për ndalimin e tregtisë ilegale me artefakte duhet ndërmarrë aksion urgjent, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e “Newsweek”.

Krejt të ardhurat nga veprat e vjedhura derdhen në financimin e ekstremistëve të Shtetit Islamik. Këtë alarm e ka ngritur drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova.

 “Atje po bëhen mijëra gërmime ilegale. Është vjedhje industriale. Ndalimi i shitjes ilegale të artefakteve të trashëgimisë kulturore është ndër prioritetet kryesore, sepse kësisoj po finalizohen organizatat terroriste”, ka thënë Bokova në Sofje.

 “Bota pret prej nesh që të jemi të vendosur dhe të ndërmarrim aksione të pakompromis me qëllim që të ndalohet financimi i ekstremistëve”, ka thënë ajo së fundi në një konferencë për media në Sofje. Gjatë luftës civile katërvjeçare, Shteti Islamik ka marrë kontrollin në shumicën e vendit përderisa Asociacioni për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Siri ka njoftuar se deri tani më shumë se 900 lokalitete e monumente janë vjedhur, dëmtuar apo shkatërruar në tërësi.

Xhihadistët kanë shkatërruar edhe disa varreza monumentale në Palmira që gjendet në listën trashëgimisë botërore të UNESCO-s e të cilin në maj të këtij viti e mori nën kontroll Shteti Islamik.

Në gusht pjesëtarë të ISIS-it vranë shefin 82-vjeçar në pension të Entit për antikitete në Palmira.

Bokova ka vlerësuar se shkatërrimet në këtë lokalitet janë “krim kundër njerëzimit, sepse ky qytet antik ishte simbol i dialogut kulturor, dëshmi meteriale e gërshetimit të civilizimeve të ndryshme”. E kjo është ajo që ekstremistët ia kanë mësyrë ta asgjësojnë”, ka thënë Bokova.