Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 10:51

“Kampl Gallery” është galeria e artit ku prej të premtes në mbrëmje ka zgjedhur të ekspozojë mbi 100 piktura të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Rama iu prezantua publikut gjerman në një tjetër dimension të tij, atë të artistit. Pas ekspozitës në Berlin pikturat e Edi Ramës qëndrojnë të ekspozuara tashmë në Munih.

Të premten në mbrëmje gjatë ceremonisë së hapjes së galerisë, i ftuar i veçantë ishte artisti dhe politikani Rama. Në çeljen e kësaj ekspozite merrnin pjesë, artistë, gazetarë, kritikë arti, koleksionistë, por edhe politikanë.

Gjatë një diskutimi tepër të hapur është prezantuar rrugëtimi paralel i një politikani dhe një artisti. Politika dhe shërimi i plagëve ekonomike dhe sociale përmes së bukurës që lanë shenjë fillimisht në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë ishin një pjesë e interesit dhe pyetjeve të të ftuarve për kryeministrin Rama.

“Në Tiranë ishte një moment shumë fantastik, sepse ishte gjithçka për t’u bërë nga e para. Situatat e vështira janë shumë interesante, sepse të krijojnë kushtet të bësh diferencë. Por nuk ishte një operacion artistik, ishte thjesht një operacion politik, po me ngjyra, jo me fjalë”,e vlerësoi Kryeministri atë periudhë, raporton ATSH.

Momente që kanë shënjuar karrierën politike, por edhe mënyra tepër e veçantë e krijimit të pikturave të Kryeministrit të Shqipërisë ofruan një atmosferë bisede të lirshme, jo vetëm mbi pikturat, por edhe për hapat kryesore të politikanit Rama nga vitet ’90 deri më sot.

Kryeministri Rama shpjegoi se pikturat janë pjesë e tavolinës së tij të punës dhe procesi i krijimit është i pavarur nga procesi i mendimit. Ndërkohë që zhvillon takime apo diskuton për çështje të ndryshme me bashkëpunëtorë është dora dhe syri që në bashkëveprim harmonik me njëri tjetrin krijojnë këto vepra artistike.

Një nga kuratorët e ekspozitës në përfundim të kësaj bisede e mbylli me urimin: “Vazhdoni të punoni si Kryeministër, po asht u siç keni punuar si kryetar bashkie, në mënyrë që njerëzit të mund ta ndërtojnë jetën e tyre private me momente lumturie. Ne personalisht, ju urojmë dhe dëshirojmë që në ardhmen t’ju përshëndesim si anëtarë të Bashkimit Evropian”.