Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 15:40

Shkodër – Një ekspozitë pikture dhe fotografike u çel sot në qytetin e Shkodrës me rastin e 20 vjetorit të krijimit të shkollës së Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, në qytetin e Shkodrës.

Në ekspozitën e hapur në ambientet e bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, krahas pikturave të përgatitura nga vetë nxënësit e kësaj shkolle, u prezantuan edhe fotografi nga aktiviteti i Medresesë, në të cilën punojnë një staf i përgatitur profesorësh të qytetit të Shkodrës.

Drejtori i Medresesë, Kujtim Dervishi, tha se në këtë ekspozitë tërheq vëmendjen larmia e gjerë e stendave fotografike, si ato “Medresetë e vjetra”, “Medreseja e vajzave dhe ajo e djemve”, stafi pegadogjik, shoqata subvencionuese që mbështesin aktivitetet e kësaj shkolle, proceset mësimore me një larmi të gjerë veprimtarish edukative fetaro kulturore, projekti qytetar, aktiviteti sportive, veprimtari jashtë Shqipërisë, etj.

Nxënësit piktorë të Medresesë me punimet e tyre të larmishme si pejsazhe, natyrë e qetë, portrete, etj, kanë marrë vlerësime shumë pozitive nga ana e specialistëve të pikturës në qytet”, theksoi Dervishi, duke shtuar se interesi i vizitorëve për pavijonin e pikturës ka qenë i madh, madje për një pjesë të këtyre punimeve kanë shfaqur interes disa institucione dhe qytetarë të thjeshtë për t’i pasur pronë të tyre.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në fund të javës, ndërkohë që aktivitetet kushtuar 20 vjetorit të krijimit të Medresesë, do të vijojnë edhe me një mbrëmje jubilare e planifikuar mbrëmjen e së hënës së ardhshme në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.