Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 21:12

Tiranë – Muzeu Historik Kombëtar ka çelur në një nga pavionet e tij një ekpozitë të përhershme, në kuadër të tetëvjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.

Ekspozita përmban një set fotografish të bamirëses me mbishkrime të sajat dhe ç’kanë thënë personalitete të ndryshme për Nënë Terezën. Gjithashtu aty janë ekspozuar edhe disa prej objekteve personale të saj si kryqi i mbajtur nga Nënë Tereza, dhuratë nga Papa Gjon Pali i II, peshqiri që ajo ka përdorur në vizitën e saj në Shqipëri, në vitin 1991, ruzaret e saj, ujëbekorja, etj.

Për herë të parë në këtë ekspozitë Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë publike një dokument të vitit 1970 lidhur me përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare pas kërkesës së bërë në vitin 1969 nga ambasada franceze lidhur me strehimin e nënës dhe motrës së Nënë Terezës pranë Caritas-it.

Pjesë e këtij këndi, është edhe një dokumentar i vitit 2010 “Ikona e dashurisë”, një realizim i Muzeut Kombëtar dhe RTSH-së, me skenar të Luan Malltezit dhe regji të Ilir Harshovës.

Sot shënohen tetë vjet nga Lumturimi i Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobël për Paqen. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shenjtërimit të saj.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

“Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.