Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 17:18

Tiranë – Banka e Shqipërisë, me rastin e 85- vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare, çeli të enjten në mjediset e Muzeut Historik në Tiranë, një ekspozitë të posaçme, ku prezantohen monedha të periudhave të ndryshme.

Kryeministri Sali Berisha dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, të pranishëm në këtë ekspozitë, theksuan me këtë rast rëndësinë e një monedhe të fortë dhe të shëndetshëm, si një kartvizitë e suksesshme deri në ditën kur leku t’i lërë stafetën euros.

Guvernatori Fullani, në fjalën e tij vlerësoi qëndrueshmërinë e lekut përballë presioneve të fuqishme globale.

“Zhvillimi ekonomik ka sjellë novacione të monedhave dhe të kartmonedhave. Kjo erdhi si pasojë e evolimit të shoqërisë njerëzore, sistemit ekonomik, politik dhe zhvillimi i bankave tregtare dhe qëndrore ishin vendimtare në zhvillimin e kombit”, tha Fullani.

Duke bërë një paqyrë të përgjithshme për sa i takon vlerës së monedhës dhe historikut të saj, Guvernatori Fullani evidentoi se, monedha shqiptare merr startin në vitin 1925, në të cilën mori udhë ndërtimi i Bankës Shqiptare.

Monedha e parë kombëtare u hodh në qarkullim në vitin 1926. Fillimisht ajo kishte përbërje argjendi dhe ari.

Gjatë viteve monedha iu përshtat ndryshimeve politike. Në periudhën e komunizmit ajo kishte si imazh ndërtesa dhe objekte, ndërsa pas ndryshimit të sistemeve, imazhe të monedhave dhe kartmonedhave u bënë heronjtë kombëtarë.

Për tre ditë rresht, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të shohin nga afër, përmes kësaj ekspozite, të gjitha prerjet e monedhave dhe kartmonedhave që nga periudha ilire e deri në ditët e sotme.